Ndërlidhjet

logo-print

Project Syndicate: Keqbërja në shkencë


Ilustrim

Ilustrim

"Project Syndicate"

Shkruan: Hajnrih Rorer, fitues i Çmimit Nobel për Fizikë në vitin 1986


Mashtrimi shkencor, plagjiatura, dhe shkrimet fantazmë po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e raportimeve të mediave duke krijuar përshtypjen se keqbërja është bërë djall i zgjeruar dhe i gjithëpranishëm i hulumtimeve shkencore.

Por, këto raporte janë më shumë një shembull i gazetarisë sensacionale se sa që janë një vlerësues i vërtetë i përkeqësimit të vlerave shkencore.

Larg nga të qenit normë e hulumtimeve shkencore, mashtrimet bëjnë përjashtime të rralla dhe zakonisht identifikohen shpejt nga shkencëtarët e tjerë.

Publiku duket se e di këtë. Në fakt, besimi në hulumtimet shkencore nuk është dëmtuar seriozisht nga raportet për keqbërje. Këto incidente të rralla nuk kanë penguar as përparimin shkencor, i cili është mjaft i vlefshëm për njerëzimin.

Sidoqoftë, edhe një numër i vogël që flet për keqbërje në shkencë është shumë i lartë. Shkencëtarët pritet të jenë fryt i shpresës në kërkimet për njohuri të reja dhe të mençur për të mos tentuar ta vazhdojnë punën me mashtrime.

Por, derisa bashkësia e shkencëtarëve-përfshirë akademikët dhe institucionet e pavarura, krerët e agjencive, menaxherët dhe redaktorët, shumë shpesh është ngurruese në trajtimin rigoroz të rasteve për keqbërje, vihet në pikëpyetje i tërë reputacioni i shkencës e jo vetëm ai i një personi, institucioni, zhurnali apo njësie kombëtare të shkencës.

Bëhet ironike çështja kur ata që zihen duke bërë mashtrime të tilla, zakonisht ia hedhin fajin konkurrencës, presionit për të publikuar diçka dhe çmimeve, praktika këto të cilat i ka vënë në jetë dhe i ka mbështetur bashkësia e shkencëtarëve.

Përderisa, kuptimi i keqbërjes është ekzagjeruar, ne duhet të rimendojmë mënyrën e zbatimit të shkencës-vlerat, virtytet dhe mangësitë e saja.

Shkencëtarët duhet ta ndjekin një shteg, i cili jo me doemos është i predefinuar shkencëtarisht dhe i cili kërkon vendime në çdo hap. Se a kanë të drejtë apo jo bëhet e qartë në retrospektivë, gjë që arsyeton pashmangshmërinë e gabimeve.

Shkenca nënkupton ecjen graduale në një litar të tendosur ndërmjet shpresës së verbër dhe kuriozitetit, ndërmjet ekspertizës dhe kreativitetit, ndërmjet paragjykimeve dhe çiltërsisë, ndërmjet eksperiencës dhe pagëzimit, ndërmjet ambicies dhe pasionit dhe ndërmjet arrogancës dhe bindjes-shkurt thënë: ndërmjet të sotmes së vjetër dhe së nesërmes së re.

Por, në ditët tona, hulumtimi gjithnjë e më tepër po keqkuptohet duke u parë gabimisht si mjet për fitimin e çmimeve të mëdha, njohjes profesionale dhe përfitimeve financiare-shpërblime këto që ngufasin kreativitetin dhe pasionin të cilin e kërkon përparimi shkencor. Siç pat thënë T.S. Elliët “Ku është urtësia që e kemi humbur në dituri? Ku është dituria që e kemi humbur në informacione”?

Në shkencat e “rënda”, si matematika e fizika, e vërteta mund të vendoset në mënyrë më transparente duke i bërë këto fusha më pak të prirura për keqbërje. Por, fushat si mjekësia, filozofia, ekonomia dhe shkenca të tjera sociale që bazohen më shumë në çiltërsinë dhe imagjinatën, mund të manipulohen më lehtë për t’u përshtatur qëllimeve të burokratëve.

Në fakt, tepër shumë fusha po quhen tashmë “shkencë”, si për shembull mbledhja e statistikave të njëanshme për ta formuar një konkluzion politik ose publikimi i një varg njohurish ekzistuese, janë larg standardeve shkencore të origjinalitetit dhe kërkesës për depërtim bazë në shkencë.

Derisa burokratizimi i shkencës ka rritur shqetësimet mbi atraktivitetin e mendimtarëve të talentuar, ne nuk duhet të jemi dhe aq pesimist. Shumë njerëz janë ankuar për humbjen e mendjeve brilante për në sektorin financiar përgjatë dekadave të fundit. Por, ndoshta duhet ta shohim këtë si sulm mbi fatin se këta gjenialë kanë krijuar rrëmujën e tyre diku tjetër.

Për më shumë, ne nënvlerësojmë gjeneratën e shkencëtarëve të rinj. Sikurse gjenerata e mëparshme, shumë shkencëtarë të rinj e dinë se duhet punuar shumë për t’i tejkaluar sfidat aktuale dhe për t’i kontribuar shoqërisë së tyre.

Mirëpo, ne duhet të jemi të kujdesshëm për të mos e dëmtuar punën e tyre me praktikat e dyshimta që bashkësia e shkencëtarëve ka zbatuar viteve të fundit.

Gjeneratës së re të shkencëtarëve duhet t’i jepen aftësitë dhe vlerat-jo vetëm idealet shkencore, por edhe vetëdija për dobësinë njerëzore, për t’u mundësuar atyre që t’i përmirësojnë gabimet e paraardhësve të tyre.(e.p.)
XS
SM
MD
LG