Ndërlidhjet

Barrikadë për mbrojtje apo për sulm?


Barrikadat në veri...
Barrikadat në veri...
Pavarësisht se rreth dhjetë ditë më parë KFOR-i ka hequr barrikadën në rrugën magjistrale që lidh Mitrovicën me Leposaviqin, në fshatin Rudare, në veri të Kosovës ende vazhdojnë të jenë të bllokuara disa rrugë me barrikada, vlerësojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj policie për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se barrikadat ende qëndrojnë në dy rrugët kryesore që lidhin pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës me pjesën veriore të vendit, të cilat pengojnë lirinë e lëvizjes, si dhe në magjistralen Mitrovicë - Zubin Potok, në fshatin Zupçë, ku qëndrojnë edhe grupe ekstremiste dhe kriminale, të cilat në raste edhe i kanë sulmuar qytetarët që kanë lëvizur në atë drejtim.

Aorta kryesore e lidhjes së rrugëve të qytetit, veri dhe jug, është e bllokuar, marrë parasysh faktin e vendosjes së barrikadës në urën kryesore dhe në afërsi të ‘shkollës teknike’, që lidh përkatësisht ‘Lagjen e Boshnjakëve’”.

Zakonisht, në pikën në Zupç, kemi tubimin e grupeve të ekstremistëve serb, të cilët monitorojnë atë pjesë të rrugës dhe në situata kur identifikojnë personat që kalojnë me automjete me targa vendore, e përdorin si cak të sulmit. Zakonisht sulmet fizike ndodhin pikërisht në atë pjesë, do të thotë, në lokalitetin e Zupçës”, thotë Hoti.

Në anën tjetër, Millan Ivanoviq nga Këshilli Kombëtar Serb, thotë se barrikadat për serbët e veriut kanë rëndësi simbolike dhe esenciale.

Sipas tij, për serbët, barrikadat paraqesin pengesë për depërtimin e dhunës dhe tensioneve nga ana e shqiptarëve.

Nisur nga kjo, siç thotë ai, tash për tash serbët nuk dëshirojnë t’i largojnë barrikadat dhe sipas tij, ato nuk e rrezikojnë askënd.

Barrikadat nuk e rrezikojnë lëvizjen e askujt. Barrikadat nuk e rrezikojnë askënd, ndërkaq serbëve ato ua mundësojnë që të ndjehen më mirë. Shqiptarët e kanë lëvizjen e lirë, praktikisht në çdo drejtim, me këtë marrëveshjen famoze, e cila interpretohet në mënyra të ndryshe”.

Shqiptarët e kanë fituar edhe lëvizjen e lirë nëpër Serbi, ndërkohë që ne serbët nga veriu, nuk guxojmë të shkojmë në jug të lumit Ibër”, shprehet Ivanoviq.

Por, pohimet e zotit Ivanoviq, i hedh poshtë zëdhënësi i policisë Hoti, i cili thotë se vetëm 3 ditë më parë në Zupçë është sulmuar një qytetar shqiptar nga ekstremistët serbë.

Rastin e fundit e kemi pasur tre ditë më herët, kur një shqiptarë është sulmuar fizikisht, ndërsa, ka pësuar lëndime të natyrës së rëndë, marrë parasysh faktin që, sipas raportit mjekësor, dy brinjë i ka të thyera, si rezultat i sulmit nga grupi i personave të strukturuar”, bën të ditur Hoti.

Ndryshe, Ivanoviq thotë se numri i sulmeve mbi serbët në anën jugore të lumit Ibër është i pakrahasueshëm me numrin e sulmeve ndaj shqiptarëve në veri të Kosovës.

I pyetur nëse sulmi në Zupçë është revansh, ai thotë se revanshi nuk duhet të ekzistojë dhe se e dënon çfarëdo sulmi ndaj cilit do qytetarë, pavarësisht përkatësisë etnike.

“Shqiptarët nuk kanë nevojë që të lëvizin nëpër mjediset serbe në komunat e veriore, sepse pastaj vjen deri të destabilizimi, deri te më shumë sulme, tensione e të tjera. Ne po e shohim se atje ku mjediset janë etnikisht të pastra, aty nuk ka dhunë. Ne nuk kemi probleme në Leposaviq, Zveçan dhe veriun e Mitrovicës”, thekson Ivanoviq.

Lideri tjetër i serbëve të veriut, Nebojsha Joviq, thotë se heqja e barrikadave në Mitrovicë, do të shkaktonte destabilizimin e tërësishëm të situatës në veri të Kosovës.

Mendoj se EULEX-i, KFOR-i dhe pala shqiptare janë të vetëdijshme se çfarë rreziku mund të prodhojë heqja e dhunshme e barrikadave. Ne kemi thënë edhe më parë se barrikadat nuk janë problem në Kosovë sepse ato mund të hiqen për 5 minuta, nëse shqiptarët do të jepnin garanci të forta se përfaqësuesit e tyre nuk do të jenë në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjakë”, shprehet Joviq.

Ndryshe, Hoti ka theksuar se institucionet e Kosovës në vazhdimësi janë duke bërë përpjekje për të normalizuar lëvizjen e lirë.

Por, sipas tij, vendimi eventual për heqjen e barrikadave nuk merret vetëm nga ana e institucioneve të Kosovës, por në mënyrë të përbashkët me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, siç janë KFPR-i dhe EULEX-i.
XS
SM
MD
LG