Ndërlidhjet

Beogradi kërkon rol më aktiv të OKB-së


Tomisllav Nikolliq dhe Ban Ki Mun

Tomisllav Nikolliq dhe Ban Ki Mun

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara dhe të gjithë faktorëve ndërkombëtarë në Kosovë, që t’i kryejnë obligimet e tyre në harmoni me mandatin dhe të sigurojnë paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët.

Këto komente zoti Nikolliq i bëri gjatë takimit me sekretarin e përgjithshëm të OKB-s, Ban Ki Mun, të hënën në Beograd.

Sipas njoftimit nga presidenca e Serbisë, Nikolliq i ka thënë Ban Ki Mun-it se OKB duhet të kenë rol më aktiv në luftën për ruajtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare, integritetit territorial dhe sovranitetit ndërkombëtar të shteteve të pranuara – anëtare të OKB-së dhe zbatim dhe respektim të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Më tutje, Nikolliq i tha zotit Ban, se Serbia do të kërkojë që “bisedimet me pushtetin e përkohshëm në Prishtinë, prej tash të udhëhiqen nën praninë e përfaqësuesve të OKB-së”.

Sipas njoftimit, Ban Ki Mun, ka shprehur bindjen se Serbia do të japë kontribut të plotë në punën e OKB-së, “veçmas gjatë një viti të ardhshëm, kur Vuk Jeremiqi do ta kryesojë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së”.

Në kuadër të turneut të tij ballkanik, Ban Ki-mun, nesër e viziton Kosovën. (f.b.)


Përgatitjet për vizitën e Ban Ki Mun në Kosovë


Në kuadër të turneut të tij diplomatik në rajon, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, do ta vizitojë nesër Kosovën, përderisa sot ai po qëndron në Beograd.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Ban pritet t’i takojë disa nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, dhe do të vizitojë edhe administratën e UNMIK-ut, bëri të ditur zëdhënësja e kësaj administrate, Andrea Jang.

Sekretari i përgjithshëm do të udhëtojë për në Kosovë nesër, dhe do të largohet vonë në mbrëmje. Sipas agjendës së tij, ai do të takohet me përfaqësuesit e Kosovës, por nuk mund ende t’ju them se me kë saktësisht do të takohet. Pastaj ai do të vijë në UNMIK, ku do të takohet me stafin, dhe zyrtarë të tjerë të organizatave”, tha Jang për Radion Evropa e Lirë, duke mos dhënë detaje të tjera se cilat vende do t’i vizitojë Ban Ki Mun.

Nga ana tjetër, autoritetet policore thonë se lidhur me këtë vizitë, policia ka hartuar një plan që ka për qëllim sigurinë e sekretarit dhe stafit të tij.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se drejtuesit e policisë, për këtë vizitë, kanë angazhuar një numër të konsiderueshëm të zyrtarëve policorë.

Të gjitha përgatitjet e nevojshme në aspektin policor janë ndërmarrë me kohë. Ne kemi përgatitur urdhrin operativ të Policisë së Kosovës, ku janë të inkuadruar të gjitha njësitet e nevojshme relevante për të qene të gatshme për çfarëdo reagimi që kërkohet rreth kësaj vizite”, tha Kelani.

Ndryshe, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, e shohin si të rëndësishme.

Ata kanë thënë se “vizita e Ban Ki Mun-it është një lajm i mirë për Kosovën, është një lajm i mirë për rajonin, dhe është një përqendrim i tij dhe i OKB-së për zhvillimet politike që ndodhin në Kosovë”.

Analisti për çështje politike Ardian Arifaj, tha se vizita e kreut të OKB-së, Ban Ki Mun, është më tepër një vizitë simbolike, se sa si një vizitë që mund të sjellë ndonjë risi për Kosovën.

Vizita është më shumë simbolike, se sa ndonjë vizitë me një peshë të madhe politike, pasi që edhe OBK-ja, nuk ka ndonjë fuqi politike në rajon, njësoj edhe në Kosovë, ndonëse ka një prezencë të vetën këtu në formën e misionit të UNMIK-ut”.

Megjithatë, vizita ka një simbolikë, pasi që në Këshillin e Sigurimit raportohet rregullisht për Kosovën edhe është një forum në të cilin sigurisht Kosova ka dëshirë të duket sa me mirë, pasi që është një forum nga i cili i kanë të drejtuar sytë shumica e vendeve të botës, shtete anëtare të OKB-së”, u shpreh Arifaj.

Ai tha se mesazhet që mund të priten nga Sekretari i Përgjithshme i OKB-s, janë ato për bashkëpunimi, paqe e tolerance, por edhe për dialog në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Ban Ki Mun këtë turne ballkanik e nisi më 20 korrik. Deri më tani, sekretari gjeneral i Kombeve të Bashkuara ka vizituar Slloveninë, Kroacinë dhe Malin e Zi. Pas qëndrimit në Kosovë, Ban do ta vizitojë Maqedoninë dhe Bosnjën për ta përmbyllur turneun në rajon më 26 korrik.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG