Ndërlidhjet

VOX

Çfarë profesionesh zgjedhin të rinjtë?


Studentë në Prishtinë...

Studentë në Prishtinë...

Të rinjtë, të cilët në këtë vit do të fillojnë studimet, po zgjedhin profesione t e tyre.

Përzgjedhjen e fakulteteve shumë nga këta të rinj e kanë bërë sipas preferencave të tyre dhe se ato profesione që ata i kanë zgjedhur për të studiuar, i kërkon tregu i punës.

Fakulteti Ekonomik mbetet njëri nga fakultetet më të kërkuara nga të rinjtë, të cilët në këtë vit do të fillojnë studimet në Universitetin e Prishtinës. Në rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë kemi marrë mendimet e disa të rinjve, të cilët për herë të parë do të bëhen studentë në këtë vit.



Derisa po dorëzonte dokumentet në Fakultetin Ekonomik, takuam Besart Hysenin. Besarti kishte ardhur nga komuna e Drenasit. Tetëmbëdhjetëvjeçari shpreson shumë se do të arrijë të regjistrohet në këtë fakultet. Thotë se ka aftësi për menaxhim dhe kontabilitet dhe për këtë ka zgjedhur këtë drejtim në Fakultetin Ekonomik.

“Kam zgjedhur Fakultetin Ekonomik. Më pëlqen dhe besoj që do t’ia dal ta përfundoj me sukses. Shpresoj që pas përfundimit të studimeve të gjej edhe punë si ekonomist”, thotë Besart Hyseni.

Në Fakultetin Ekonomik shpreson se do të regjistrohet edhe Arsim Hoxha:

“Më pëlqen shumë ky profesion. Është një drejtim që e dua dhe besoj që do të mund ta përfundoj”.

Universiteti i Prishtinës, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2012-2013, do të regjistrojë 9,221 studentë, prej të cilëve 8,011 studentë të rregullt dhe 1,210 studentë me korrespondencë.

Universiteti do të regjistrojë edhe 323 studentë të rregullt nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Presheva e Bujanoci, si dhe 294 studentë nga minoritetet.

Ndërkaq, Fakulteti Ekonomik, i cili mbetet si njëri nga fakultetet më të preferuara nga të rinjtë, në vitin e parë të studimeve do të pranojë 2,200 studentë, prej të cilëve 1,700 të rregullt dhe 500 me korrespondencë

Në Fakultetin e Edukimit ka aplikuar për regjistrim e reja Arlinda Sinani.

“Është drejtim që e dua, do të dëshiroja të regjistrohem dhe të ndjek studimet në këtë fakultet dhe më pas të punësohem”, thotë Arlinda Sinani.

Ndërkaq, Anita Kadriu ka zgjedhur Fakultetin Juridik. Thotë se dëshiron të bëhet juriste në të ardhmen:

“Kam zgjedhur Fakultetin Juridik, sepse më pëlqen drejtësia dhe dëshiroj të vendos rend dhe ligj në vendin tim. Ky është profesioni që unë e dua për veten time në të ardhmen”.

Edhe Fakulteti i Edukimit është një nga fakultetet që pëlqehet mjaft shumë nga të rinjtë. Ky fakultet në këtë vit akademik do të pranojë për studime 520 studentë.

Arlind Zajmi është një nga të rinjtë që ka vendosur të studiojë në Fakultetin e Edukimit - ai ka zgjedhur drejtimin Gjuhë Angleze. Arlindi thotë se përveç tjerash, ka zgjedhur këtë fakultet pasi që, siç mendon ai, është më i lehtë për ta përfunduar.

“Pas përfundimit të këtij fakulteti shpresoj se do të mund të gjej punë si arsimtar në shkolla fillore. Vendi nga vij unë ka nevojë për arsimtarë të kualifikuar, kështu që mendoj se do t’i ndihmoj qytetit tim”, thotë Arlind Zajmi.

Sidoqoftë, sipas hulumtimeve të bëra nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me Aleancën Kosovare të Biznesit, profesionet që më së shumti kërkohen në Kosovë, e që në fakt ka mungesë të këtyre profesioneve, është sektori i hotelerisë, si dhe sektori i ndërtimtarisë së ultë dhe të lartë.

Të ngjashëm me atë që kërkon tregu i punës dëshiron të regjistrohet Taulant Nikqi. Taulanti shpreson të regjistrohet në Fakultetin e Arkitekturës.

“Kosova është në ndërtim e sipër. Ka nevojë për këtë profesion. Është fakultet i vështirë, por ka perspektivë në Kosovë dhe kudo në botë”, shprehet Taulant Nikqi.

Ndërsa, Luan Krasniqi e pëlqen kompjuterikën:

“Më pëlqen informatika dhe kam vendosur të regjistrohem në këtë fakultet. Ka mungesë të kuadrove në këtë profesion dhe shpresoj se do t’ia dal ta përfundoj me sukses”.

Në Fakultetin e Arteve, në drejtimin Pikturë, dëshiron të regjistrohet edhe i riu Ardian Gashi.

“Kam talent për të pikturuar dhe kam zgjedhur këtë profesion”, tregon Ardiani.

Këta të rinj, të cilët në këtë vit do të bëhen studentë, nuk harrojnë të mendojnë edhe për të gjetur punë pas studimeve. E, që, siç thonë edhe ata, është mjaft e vështirë.

Në tregun e punës në Kosovë hyjnë deri në 35 mijë të rinj, ndërkaq ky treg absorbon nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit

Arta Zajmi shprehet:

“Në këtë situatë çfarë është Kosova, papunësia është shumë e lartë, vështirë se do të mund të gjejmë punë diku, por nuk do të thotë tani që është e vështirë dhe gjithmonë do të jetë kështu. Ne shpresojmë që do të bëhet më mirë dhe që nuk do të mbesim pa punë”.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG