Ndërlidhjet

Siri: A mund të krijojë kriza një mini-shtet alavi


Siri
Siri
Përgjatë bregdetit mesdhetar të Sirisë janë disa vargmale që e shkëpusin pjesën tjetër të vendit nga deti.

Me shekuj, këto kodra veri-perëndimore kanë qenë strehë e minoriteteve fetare siriane. Ato janë atdhe i alavitëve, komunitet që numëron 2.5 milionë në Siri dhe përbën rreth 10 për qind të popullatës së vendit- sikurse shiitët, të krishterët dhe druzët.

Tash, malet mund të luajnë sërish rolin e bastioneve. Derisa dhuna në Siri intensifikohet, ka shenja se regjimi i udhëhequr nga alavitët mund të krijojë një mini-shtet në male, po që se detyrohet ta lë pushtetin në Damask.

Tashmë qindra mijëra alavitë raportohet se janë zhvendosur për të kërkuar siguri në zemër të alavitëve. Ata thonë se iu frikësohen hakmarrjes po që se komuniteti i tyre e humb pushtetin pas disa dekadave që ka dominuar mbi shumicën sunite.

Shahshank Joshi, një ekspert rajonal i Chatham House me seli në Londër, thotë se ky mund të jetë vetëm fillimi.

Ne mund të shohim një largim të alavitëve, dhe një përpjekje për të krijuar një zonë territoriale të dominuar nga alavitët, që mund të shërbejë si mbrojtje dhe një lloj strehe për regjimin dhe mbështetësit e tij sektarë”, tha Joshi.

Precedenti për një mini-shtet alavi tashmë është krijuar.

Kjo ka ndodhur pas rënies së Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Botërore, kur Liga e Kombeve i dha Francës mandatin që të sundojë Libanin dhe Sirinë.

Francezët administruan territorin alavi ndaras nga zonat e banuara me sunitë, duke e bërë atë autonom nga pjesa tjetër e Sirisë në vitet e ‘20-ta dhe ’30-ta.

Por, dy çështje ngrenë pikëpyetje për çfarëdo shteti alavi sot- a do të mund të jetë ekonomikisht i qëndrueshëm, dhe a mund të marrë mbështetje të huaj.

Rajoni ka tokë të mirë bujqësore dhe infrastrukturë. Por, ka pak industri dhe është larg nga fushat lindore me naftë të Sirisë, duke e bërë të pasigurt furnizimin me energji.

Benjamin Jensen, një specialist ndërkombëtar i sigurisë në Universitetin Amerikan thotë se një mini-shtet i tillë do të mund të mbijetonte po që se ka një patron të fuqishëm.

Po që se shikoni enklavat tjera, kuazi-shtetet si Osetinë Jugore, Abkhazinë, këto rajone nuk janë ekonomikisht të qëndrueshme pa një patron, pa relacione me një fuqi rajonale si Rusinë. Në rastin e shtetit alavit, dikush mund të besojë se do ketë raporte të ngjashme me Iranin”, tha Jensen.

Rusia, aleatja tjetër kryesore e presidentit Bashar al-Asad, mund po ashtu të mbështesë një mini-shtet me qëllim që të ruajë bazën detare në Tartus në rast të ndonjë fitoreje të kryengritësve.

Sot, Jensen konsideron se krijimi i një mini shteti do të ishte me “probabilitet të vogël dhe me rrezik të madh” për krizën e Sirisë.

Por, ai thotë se janë dy gjëra që duhet përcjellë, e të cilat mund të jenë më të mundshme në të ardhmen.

E para, nëse kryengritësit mund të mbajnë një qytet të madh. Kjo mund ta bindë regjimin se pushteti po i dobësohet dhe të krijojë nevojën për opsione të tjera.

E dyta është nëse vrasjet hakmarrëse mund të bëhen më të rëndomta.

Shikoni se nga ku po raportohen masakrat. Në një masë po ndodhin në fshatrat e përziera, ose në rajonet e përziera, që kanë edhe alavitë dhe sunitë. Kjo është një shenjë se spiralja sektare po rritet dhe po shkon në drejtim të formimit të enklavave”, tha Jensen.

Shumë analistë tani e shohin si sfidën më të madhe për komunitetin ndërkombëtar ndalimin e shtetit nga ndarja në vija të komuniteteve.

Por, dështimi i përpjekjeve paqeruajtëse të OKB-së e ka lënë komunitetin ndërkombëtar me pak ndikim në konflikt.

Joshi tha se përgjegjësia më e madhe për ruajtjen e Sirisë së pandarë bie mbi kryengritësit.

E vetmja rrugë e vërtetë është sigurimi se të gjitha fraksionet kryengritëse do të tregojnë maturi, përmbajtje në formimin e qeverisë së re, që të sigurojnë përfaqësim të gjerë deri në atë masë sa të dërgojnë forcat për të mbrojtur minoritetet”, tha Joshi.

Nëse shteti ndahet dhe formohet një mini-shtet alavi, rezultati do të jetë një luftë e stërzgjatur.

Asnjë qeveri e re siriane nuk do të pranonte humbjen e bregdetit dhe porteve. Do të duhej të luftojnë regjimin e vjetër për t’i kthyer ato prapë.(a.i.)
XS
SM
MD
LG