Ndërlidhjet

logo-print

Të luftohet korrupsioni në fushën e prokurimit!


Ilustrim

Ilustrim

Për të zgjidhur problemin e korrupsionit në fushën e prokurimit publik, ekspertë të çështjeve ekonomike sugjerojnë disa metoda që kanë praktikuar vendet e rajonit në fushën e prokurimit. Ata thonë se ky problem duhet të zgjidhet, në të kundërtën, bizneset kosovare po ballafaqohen me probleme të shumta.

Për ta luftuar këtë dukuri, eksperti i ekonomisë, Lekë Musa, thotë se njëra nga aspektet që do të mund të ndikonte në eliminimin e korrupsionit në fushën e prokurimit, është inicimi i prokurimi përmes teknologjisë informative.

“Janë disa aspekte, të cilat janë përdorur në vendet të ndryshme për të adresuar këtë çështje, p.sh në Shqipëri është iniciuar prokurimi përmes sistemit të teknologjisë informative, ku është mundur të eliminohet sa më shumë ndikimi dhe vlerësimi nga ana e personelit publik në mënyrë që të mos ketë ndikim subjektiv në vlerësimin e ofertave të ndryshme që bëhen nga bizneset”, thotë Musa për Radion Evropa e Lirë.

Një opsion tjetër, sipas Lekë Musës, është çështja e edukimit të zyrtarëve të prokurimit dhe stafit teknik që e bën përgatitjen e tenderëve. Një pjesë shumë delikate e procesit të prokurimit në Kosovë është përgatitja e dokumentacionit teknik për tenderë të ndryshëm.

Aty mendohet se fillojnë problemet.

Te përgatitja paraprake për prokurim, thekson Musa, duhet të intervenohet të rritet kultura në sektorin publik për shfrytëzim sa më të mirë të parasë publike.

“Nuk është gjithmonë çmimi, i cili duhet të përcaktojë fituesin e një tenderi, mirëpo duhet angazhuar shumë faktorë të ndryshëm se çka është më e mirë për këtë vend, do të thotë për të marrë kundërvlerën e parasë të angazhuar për një projekt të caktuar, për të cilën është vendosur të harxhohen ato mjete”, thekson Musa.

Ekspertët e ekonomisë shprehen mjaft kritikë sa i përket hetimit të rasteve ku dyshohet për korrupsion në fushën e prokurimit. Ata thonë se nuk ka pasur shumë raste ku gjykatat kanë hetuar apo ndëshkuar ata persona që kanë kryer një vepër të tillë.

Ajo se çfarë do të mund të përmirësonte procesin e prokurimit, sipas tyre, mund të jetë edhe një auditim i jashtëm.

Eksperti i ekonomisë, Haki Shatri, njëherësh ish-ministër i Financave, thotë për Radion Evropa e Lirë, se problemi thelbësor për luftimin e korrupsionit në fushën e prokurimit është mungesa e vullnetit nga ana e institucioneve për ta eliminuar këtë dukuri.

“Forma e vetme e luftimit të kësaj dukurie të keqpërdorimit të parasë publike edhe në fushën e prokurimit, është ndryshimi i mentalitetit në qeverisje, ose ndërrimi i qeverisë, pasi po shihet se nuk ka vullnet, nuk ka interesim për luftimin e kësaj dukurie”, vlerëson Shatri.

Lëvizja “FOL” në Kosovë, e cila merret me monitorimin e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike, në hulumtimin e fundit që ka realizuar, ka evidentuar 13 shkelje ligjore, gjatë procedurave të prokurimit në institucionet e Kosovës.

Sipas këtij hulumtimi, Korporata Energjetike e Kosovës prin me numrin më të madh të shkeljes së procedurave të prokurimit.

Ndryshe, qëllimi i Ligjit për prokurim publik në Kosovë është që të sigurojë mënyrën më efikase, më transparente dhe më të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike dhe burimeve publike në Kosovë, duke përcaktuar kushtet dhe rregullat që do të zbatohen.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG