Ndërlidhjet

Kosovë: Ngrihen çmimet, bie fuqia blerëse


Ilustrim
Ilustrim
Inflacioni në Kosovë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 1.5 për qind. Ngritja e çmimeve të konsumit, sipas përfaqësuesve të bizneseve dhe konsumatorit, brenda një periudhe të shkurtër të do të jetë e papërballueshme për qytetarët.

Ky inflacioni, i cili po e prek Kosovën, është inflacion i importuar. Për të mos u rrezikuar çdo herë nga ky inflacion, ekspertët e ekonomisë iu kishin sugjeruar institucioneve të Kosovës, që të marrin masa në rritjen e prodhimit vendor.

Por, pavarësisht kësaj, prodhimi vendor vazhdon të mbetet i ulët, dhe Kosova vazhdon të importojë një pjesë shumë të madhe të produkteve ushqimore.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se rritja e çmimeve dhe mbajtja e nivelit të njëjtë të pagave, ka ndikuar në dobësimin e fuqisë blerëse të qytetarëve.

Sipas tij, inflacioni i lartë ka një rëndesë të standardit të jetesës, por edhe potencialeve ekonomike.

“Inflacioni po ndodh edhe në vendet e tjera, jo vetëm në Kosovë, po përderisa ne nuk e kemi të drejtën e emetimit të parave, derisa Banka Qendrore është e limituar me ligjin dhe përderisa ne kemi shumë para të Kosovës jashtë shtetit dhe vazhdimisht shesim asetet shtetërore apo shoqërore - para këto që mbesin jashtë funksionit të ekonomisë vendore - vështirë e kemi që të ndalet rritja e çmimeve, inflacionit dhe rrjedhimisht të rritet konsumi”, thotë Shahini.

Derisa Kosova shumicën e produkteve i importon nga tregjet ndërkombëtare, çdo ngritje e çmimeve në botë, do ta godasë edhe Kosovën.

Agim Shahini jep më shumë hollësi:

“Deficitet tregtare në Kosovë po ndodhin vazhdimisht mes importit dhe eksportit, kjo tregon ngecje të prodhimtarisë vendore, tregon inflacion të importuar, tregon se në Kosovë konsumi i përgjithshëm ka rënë”.

Ngritje të çmimeve gjatë periudhës gjashtëmujore janë shënuar te mishi 4.0 për qind, qumështi, prodhimet e qumështit dhe vezët për 4.4 për qind, pemët për 3.3 për qind, pijet joalkoolike 3.4 për qind, cigaret 8.6 për qind.

Gjatë kësaj periudhe kohore janë shtrenjtuar edhe furnizimi me ujë dhe shërbimet që kanë të bëjnë me vendbanimin për 12.5 për qind, pastaj rryma, strehimi, gazi dhe lëndët tjera djegëse si grup rreth 7.9 për qind, pastaj derivatet e naftës dhe benzinës 7.8 për qind.

Ngritja e çmimeve po vazhdon ta rëndojë jetën e qytetarëve në Kosovë edhe sipas kryetarit të Organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku. Ai thotë se rreth 54 për qind e konsumatorëve jetojnë në varfëri, ndërsa nga numri i tërësishëm i konsumatorëve, afër 18 për qind jetojnë në varfëri të skajshme.

“Të gjitha këto ngritje çmimesh bëhen me arsyetimin se në to ndikojnë bursat botërore dhe se në to ndikon ekonomia e tregut. E vërteta është ndryshe, në Kosovë nuk ka ekonomi tregu, për arsye se ekonomia e tregut konsiston në zbatimin e plotë të ligjeve, ndërsa në Kosovë ne kemi zbatueshmëri të ligjeve vetëm në shkallë prej 30 për qind”, thekson Kaçaniku.

Ndryshe, sipas Bankës Qendrore të Kosovës gjatë vitit të kaluar norma mesatare e inflacionit ishte 7.3 për qind.
XS
SM
MD
LG