Ndërlidhjet

logo-print

Afgani me uniformë vret tre ushtarë amerikanë

  • RFE /RL

Afganistan (Foto nga arkivi)

Afganistan (Foto nga arkivi)

Një person i armatosur, me uniformë të ushtrisë afgane, ka vrarë tre ushtarë të Shteteve të Bashkuara në provincën Helmand të Afganistanit.

Gjashtë civilë kanë vdekur të premten në të njëjtin rajon, pasi automjeti i tyre ka hasur në një bombë në anë të rrugës.

Zyrtarët në Helmand thonë se tre pjesëtarët e forcave speciale të SHBA-së janë vrarë nga një zyrtar i policisë afgane, i cili i ka ftuar ata për të ngrënë.

Ushtria e Shteteve të Bashkuara në Afganistan ka konfirmuar se tre trupat e saj janë vrarë nga një “individ me uniformë afgane”, por nuk ka dhënë detaje të tjera.

Në Kabul, zëdhënësi i NATO-s, gjenerali Ganter Kac, ka thënë se Aleanca po heton vrasjet.

“Nuk mund të jap detaje specifike për hetimet që janë duke vazhduar. Incidentet e tilla janë shumë serioze, shumë tragjike, por nuk reflektojnë situatën e përgjithshme këtu në Afganistan”, ka thënë Kac.

Burime afgane i kanë thënë AFP-së se ushtarët janë vrarë nga një komandant në qarkun Sangin. Zyrtarët lokalë kanë deklaruar se komandanti Asadullah është larguar. Një zëdhënës i supozuar i talibanëve, Qari Jusuf Ahmadi, ka thënë se Asadullah u është bashkuar radhëve të tyre, pasi ka kryer vrasjet.

Talibanët shpesh marrin përgjegjësinë për vrasjet e ushtarëve të huaj edhe nëse nuk janë të përfshirë në to.

Një numër në rritje i ushtarëve dhe policëve afganë kanë kthyer armët kundër kolegëve të NATO-s, të cilët i ndihmojnë për të luftuar kundër kryengritësve talibanë. Këta të fundit janë rrëzuar nga pushteti në Afganistan pas ndërhyrjes së udhëhequr nga SHBA-ja, në vitin 2001.

Vrasjet e tilla kanë dëmtuar rëndë besimin ndërmjet aleatëve, në kohën kur trupat e NATO-s përgatiten të dorëzojnë përgjegjësitë e sigurisë te forcat afgane deri në fund të vitit 2014.

Sipas NATO-s, që nga janari i këtij viti, janë shënuar 24 “sulme të maskuara”, në të cilat kanë humbur jetën 28 njerëz.

Kryengritësit talibanë janë fajësuar të premten edhe për vendosjen e bombës në anë të rrugës, e cila ka shkaktuar vdekjen e gjashtë civilëve afganë në qarkun Musa Kala.

Bombat në anë të rrugës janë arma e preferuar e talibanëve që luftojnë forcat qeveritare dhe ato të NATO-s, por ato shpesh nuk qëllojnë objektivat ushtarake dhe vrasin civilë.

Vdekjet e fundit vijnë dy ditë pasi një raport i Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se më shumë se 3,000 civilë janë vrarë dhe plagosur në gjashtë muajt e parë të këtij viti.

Për 80 për qind të vrasjeve, Kombet e Bashkuara kanë fajësuar kryengritësit, duke thënë se gjysma e tyre janë shkaktuar nga bombat në anë të rrugës.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG