Ndërlidhjet

Serbia do "pranojë" Kosovën pa fusnotë?!


Ilustrim

Ilustrim

Qeveria në Beograd po shqyrton modelin, i cili do t’i mundësonte Serbisë pjesëmarrjen në forumet rajonale, në të cilat Kosova përfaqësohet pa fusnotë, shkruajnë mediat serbe.

Duke u thirrur në burime të afërta brenda qeverisë, gazeta Blic shkruan se për modelin e tillë janë ngarkuar nënpresidentja e qeverisë për integrime evropiane, Suzana Grubjeshiq, dhe shefi i Zyrës për integrime, Millan Pajeviq.

“Konstatimi i të gjithëve në qeveri është se me braktisjen e forumeve, ka humbur vetëm Serbia, sepse zëri i palës tjetër është dëgjuar. Përveç kësaj, janë shpenzuar shuma të mëdha parash për udhëtime dhe njerëzit tanë janë përballur me situata të pakëndshme, pasi është dashur të largohen në mënyrë demonstruese. Andaj, propozimi do të jetë i tillë që pjesëmarrja jonë të mos nënkuptojë pranimin e Kosovës”, citon Blic burimin nga ekzekutivi serb.

Në kuadër të dialogut për çështje teknike, Prishtina dhe Beogradi, në muajin shkurt, kanë arritur marrëveshje për përfaqësimin rajonal të Kosovës me fusnotë.

Kjo e fundit përfshin Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Beogradi disa herë ka braktisur forumet dhe takimet rajonale, duke këmbëngulur që në tabelën para delegacioneve të Kosovës, të shkruhet edhe fusnota.

Diplomatët evropianë kanë thënë se në tabelë mund të qëndrojë ylli, ndërsa "diku tjetër" shpjegimi se çfarë do të thotë ai.
XS
SM
MD
LG