Ndërlidhjet

Barnat nëpër barnatore nuk kanë çmime të unifikuara. Një bar mund ta blesh në një barnatore 12 euro e 50 centë, derisa të njëjtin në një barnatore tjetër me 6 euro e 80 centë.

Pacientja Besa K., ka pasur një përvojë me blerjen e barnave të njëjta, me çmime të ndryshme.

“Qe një kohë e përdori çdo 10 ditë një bari që quhet Itamelagin, i cili në barnatoret e Prishtinës kushton 12 eventualisht 12.50 euro. Një ditë kam rastisur të blej të njëjtin ilaç në një barnatore në Lipjan dhe ka kushtuar 6 euro e 80 centë. Dallim shumë i madh i çmimeve. Zakonisht mund të hasësh në diferencë për 1 euro ose 1 euro e gjysmë, por kjo gati 100 për qind më e shtrenjtë në Prishtinë sesa në Lipjan”, tregon Besa.

Kjo, sipas zyrtarëve institucionalë, ndodh për shkak se Kosova nuk e ka një rregullore administrative që do të mund ta rregullonte këtë çështje.

Blerta Hoxha, farmaciste, thotë se në barnatoren ku ajo punon, dallojnë çmimet e barnave nga barnatoret tjera.

“Ka shumë dallime në çmime për shkak të tregut të lirë të barnave. Barnatoret që kanë më shumë qarkullim, kanë leverdi dhe beenficione prej depove më të mira, prandaj dhe kanë mundësi t’i zbresin çmimet, derisa barnatoret që nuk kanë shumë punë, nuk kanë mundësi të manipulojnë me çmime. Mendoj që duhet të jetë një çmim prej 25 deri 30 për qind. Ka ankesa shumë nga pacientët për shkak të çmimeve, për shkak se diku rastisin t’i blejnë më lirë, derisa kur hasin në barna të njëjta me çmime më të larta ankohen”, thotë farmacistja Hoxha.

E, Haki Ejupi, nga Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale, deklaron për Radion Evropa e Lirë se, laramania e çmimeve nëpër barnatore është evidente dhe një gjë e tillë ndodh për shkak të tregut të lirë që ekziston në Kosovë.

“Është evidente që çmimet e barnave nuk janë të unifikuar dhe në shumë raste ato varirojnë varësisht nga barnatorja në barnatore. Rregullimi i çmimit të barit parashihet me udhëzime administrative, të cilat janë në përpilim e sipër dhe i rekomandohen Ligjit për produkte dhe pajisje medicinave”.

“Çmimi i barit gjendet në mëshirë të tregtarit dhe atij që tregton me barna. Meqenëse institucionet apo barnatoret që operojnë me barna nuk mund të vendosin një çmim unifikues pasi që nuk ekziston një ligj që e rregullon këtë çështje, tregu është i lirë”,
thekson Ejupi.

Përpos laramanisë së çmimeve të barnave, ato edhe kontrabandohen në masë të madhe. Sipas zyrtarëve doganorë, mallrat më të kontrabanduara që hyjnë në Kosovë nga Serbia, në rrugë ilegale, janë produktet medicinale.

Kjo, sipas tyre, ndodh për shkak të, siç thonë ata, vëllimit të vogël dhe vlerës së madhe që kanë.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG