Ndërlidhjet

Sa është i sigurt arsenali bërthamor i Pakistanit?


Pakistan

Pakistan

Sulmi i militantëve në një bazë ajrore të Pakistanit, ku thuhet se ruhen disa koka bërthamore, ka lëshuar alarm për sigurinë e armëve atomike të vendit.

Baza Minhas, e cila ndodhet vetëm 40 kilometra në perëndim të Islamabadit, përkatësisht në provincën Punxhab, konsiderohet të jetë një objekt i rëndësishëm ushtarak. Ajo strehon aeroplanë luftarakë dhe sisteme të avancuara armësh, për të cilat shumë vëzhgues dyshojnë se përfshijnë koka bërthamore.

Gjenerali në pension, Talat Masud, thotë se sulmet në rritje kundër objekteve ushtarake paraqesin shqetësim të vërtetë.

“Kur instalimet mbrojtëse bëhen shënjestra kaq të lehta - dhe, ne kemi para një sërë ngjarjesh të tilla - kjo do të thotë se ato janë të cenueshme dhe se Pakistani duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim”, thotë Masud.

Ushtria e Pakistanit, e cila kontrollon arsenalin bërthamor, ka pësuar sulme të shumta mbi bazat e saj kryesore.

Në maj të vitit 2011, të paktën dy aeroplanë të mbikëqyrjes detare janë shkatërruar dhe dhjetë persona kanë humbur jetën kur militantët kanë hyrë në bazat detare të Mehranit, në qytetin port të Karaçit.

Në tetor të 2009-s, militantët kanë sulmuar selitë e ushtrisë pakistaneze pranë Islamabadit. Ata kanë marrë disa pengje, të cilat janë liruar pas vrasjes së nëntë militantëve në një betejë gati 20-orëshe.

Gjenerali i brigadës, Asad Munir, po ashtu i pensionuar, thotë se të gjitha instalimet bërthamore - qofshin civile apo ushtarake - janë nën masa komplekse të sigurisë.

Ai thotë se vendet perëndimore nuk shqetësohen se armët bërthamore të Pakistanit mund të bien në duar të gabuara.

Ata e dinë. Kanë qenë këtu dhe e kanë parë sistemin. Ata e dinë se nuk është e lehtë. Është pothuajse e pamundur që të prishet siguria bërthamore. Përndryshe, ata do të ndërmerrnin veprime”, thekson Munir.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, organ ky i Kombeve të Bashkuara, konsideron se programi atomik i Pakistanit është i sigurt.

Islamabadi ka ndërtuar aparatura komplekse për sigurinë bërthamore, që përfshihen në të ashtuquajturin Divizion i Planeve Strategjike. Bërthamat zbërthyese të kokave bërthamore thuhet se qëndrojnë ndaras nga sistemet e tyre të shpërndarjes. Islamabadi ka marrë rreth 100 milionë dollarë ndihma amerikane, që nga sulmet e 11 Shtatorit, për të përmirësuar sigurinë e tij bërthamore.

Pakistani thuhet se ka zhvilluar edhe teknologjitë e veta për parandalimin e aksidenteve. Munir thotë se këto masa mbështeten edhe nga një kapacitet i fuqishëm njerëzor.

“Për aq kohë sa ushtria e Pakistanit është atje, nuk ka kërcënim nga armët bërthamore. As edhe një për qind”, thotë Munir.

Në sulmin e së enjtes në bazën Minhas kanë humbur jetën nëntë radikalë islamistë dhe një ushtar i Pakistanit.(v.t.)
XS
SM
MD
LG