Ndërlidhjet

Ligji për qasje tek informatat, i pazbatueshëm


Ilustrim
Ilustrim
Qytetarët kanë të drejtë të dinë si shpenzohen paratë e tyre, të informohen për vendimet që marrin institucionet e pushtetit vendor dhe atij qendror po në emër të tyre, cila është forma në bazë të së cilës merren vendimet gjyqësore për raste të caktuara me interes të karakterit publik, kjo e drejtë u garantohet me Ligjin për qasje tek informatat me karakter publik.

Por, në praktikë, ata, të cilët më shumë përballen me dyert e mbyllura të institucioneve, gazetarët, thonë se ligji për më shumë faktorë është vështirë i zbatueshëm.

“Çështja duhet parë në dy dimensione: e para, duhet analizuar aftësia e administratës për t’i zbatuar ligjet që miratohen edhe atëherë kur ato janë me standard të vendeve të zhvilluara demokratike ; dhe e dyta duhet analizuar nëse ligji nuk arrin të funksionojë në praktikë, duhet bërë një analizë ku janë zbrazëtirat”, thotë Nazim Rashiti, gazetar.

Kurse, për kryetaren e Sindikatës së Gazetarëve në Maqedoni, Tamara Causidis ,tregu i ngushtuar i punës së punonjësve të mediave ka bërë që gazetarët të bëhen më sensitivë ndaj heshtjes së institucioneve, edhe pse ata duhet të jenë kryesorët që do të duhet të angazhohen për zbatimin e ligjit për qasje tek informatat me karakter publik.

“Është cinike në një hapësirë të këtillë mediatike të kontrolluar tërësisht nga politika, të kërkohet nga gazetarët që ata të luftojnë me të gjitha mjetet demokratike për t`i detyruar institucionet të jenë më të hapura sa u përket vendimeve dhe formës së shpenzimit të mjeteve buxhetore , kur dihet se plasimi lajmeve në eter gjithnjë e më shumë është i kontrolluar”, thekson Tamara Causidis.

Ndërkohë, nga hulumtimet e bëra të Qendrës për Komunikim me qytetarët, bëhet e ditur se institucionet janë të gatshme të flasin më lehtësisht për të gjitha ingerencat, por jo edhe kur bëhet fjalë si shpenzohen paratë e buxhetit.

Greman Fillkov, drejtues i kësaj organizate, thotë se drejtuesit e institucioneve mund t’i pyesësh gjithçka, por jo edhe për paratë se si shpenzohen.

“Gjithmonë kur u shtrohen pyetje të llojit sa mjete janë shpenzuar për çështje të caktuara, drejtuesit e institucioneve shohin me armiqësi ndaj atyre që parashtrojnë pyetje të këtilla dhe jo si diçka për të cilën obligohen me ligj të jenë transparent për veprimet e institucionit që e drejtojnë. Më interesant është fakti për të theksuar se institucionet kanë frikë të flasin për shpenzimin e parave edhe atëherë kur ato shpenzohen në formë ligjore”, shprehet German Fillkov.

Nga ana tjetër, Nazim Rashiti, thotë se Ligji për qasje tek informacionet ka shumë mangësi, veçanërisht afati kohor që përcakton 30 ditë për t’u përgjigjur, njëherësh, sipas tij, problematike është dhe mosnjohja e qytetarëve me të drejtën për të ditur, siç emërohet me gjuhën popullore, ligji.

“Titullarët e institucioneve evitojnë të japin përgjigje dhe në një farë mënyre përdorin këtë ligj që të zgjasin përgjigjen e tyre deri në 30 ditë. Nganjëherë e shkelin këtë afat duke mos dhënë fare përgjigje, dhe nga ana tjetër kur çështjet nuk janë politike ose shprehur kushtimisht, nuk janë aq të nxehta , dhe qytetarët janë të interesuar të marrin një informacion të caktuar, është përgjegjëse administrata me aftësinë gjegjësisht paaftësinë e saj , për të dhënë një përgjigje të karakterit publik”, vlerëson Rashiti.

Sipas Rashitit, është koha që institucionet e pushtetit vendor dhe atij qendror të mendojnë seriozisht për të aftësuar administratën në këtë drejtim, përmes trajnimeve të ndryshme , fonde të cilat mbeten të pashfrytëzuara nga Bashkimi Evropian.

Ndryshe, edhe kundrejt insistimit të gazetarëve dhe sektorit civil, sa peshon borxhi i shtetit kundrejt sektorit të biznesit, apo sa mjete shpenzohen saktësisht për realizimin e projektit “Shkupi 2014”, dikasteri i financave, përkatësisht ai i ekonomisë dhe kulturës edhe pas afatit të përcaktuar me ligj, nuk kanë dhënë përgjigje konkrete, duke anashkaluar informacionin me përgjigje si “nuk është formuluar qartë pyetja”, kjo çështje është bërë publike në gazetën zyrtare, ose keni gabuar dikasterin sa i përket informacionit të kërkuar.

Pikërisht të udhëhequr nga këto praktika , punonjësit e mediave vlerësojnë se ligji për qasje deri tek informacionet me karakter publik, në vend se të jetë në shërbim të qytetarëve, shfrytëzohet si vegël mbrojtëse për institucionet që të mos jenë transparente.
XS
SM
MD
LG