Ndërlidhjet

Princi Herri: Fotot nudo "çmendin" pallatin mbretëror


Familja mbretërore e Britanisë
Familja mbretërore e Britanisë
Familja Mbretërore e Britanisë u ka kërkuar gazetave të mos publikojnë fotografitë me imazhe nudo të Princit Heri që janë bërë gjatë pushimeve me miqtë e tij në Las Vegas.

Një zëdhënës i Familjes Mbretërore konfirmoi se familja ka kontaktuar tashmë Komisionin për Ankesa të Shtypit Britanik me kërkesën që gazetat të mos i publikojnë fotografitë në fjalë. Publikimi i tyre, sipas familjes, do të përbënte shkelje të privatësisë së princit.

Clarence House, rezidenca zyrtare e Princit Heri, konfirmoi vërtetësinë e fotografive.

Pamjet u paraqitën, për herë të parë, të mërkurën në faqen amerikane të internetit për shoubiz tmz.com.

Në njërën nga dy fotografitë, 27 vjeçari bart vetëm orën e dorës dhe një gjerdan, përderisa gjenitalet i mbulon me njërën dorë. Në foto shihet një person tjetër i zhveshur tërësisht duke qëndruar prapa princit.

Në fotografinë tjetër, princi shihet duke u përqafuar me një person tjetër që është gjithashtu i zhveshur tërësisht. Nuk mund të dallohet se a bëhet fjalë për mashkull apo femër.

Princi Heri po qëndronte në Las Vegas për shkak se udhëhoqi një ngjarje bamirëse në San Diego.

Raportet thonë se imazhet kanë rritur shqetësimet për sigurinë e ngasësit 27 vjeçar të helikopterit, i cili pat shërbyer në Afganistan në vitin 2008. Mbetet e paqartë se kush i ka bërë fotografitë dhe se përse nuk kanë ndërhyrë gardat e princit për të parandaluar bërjen e fotove.

I biri më i ri i Princit Çarlls dhe Princeshës së ndjerë, Dajena, njihet për reputacionin e “Playboy-it” dhe mënyrën e papërmbajtur të jetesës.

Ai pat shokuar opinionin publik në Britani në vitin 2005 pas publikimit të fotografive që dëshmonin pjesëmarrjen e tij në një maskenball ku ai kishte bartur një shenjë të nazistëve.

Në vitin 2009, princi pat kërkuar publikisht falje pas publikimit të një videoje ku ai shihej duke e quajtur një koleg aziatik “miku ynë i vogël Paki”.

Princi është parë gjithashtu duke u kacafytur me një fotograf, ndërsa ka pranuar se ka konsumuar alkool dhe kanabis qysh në moshën 17 vjeçare.

Sidoqoftë, kohëve të fundit, ai është përpjekur të paraqitet më i matur në publik. Heri shfaqi gjithashtu interesimin e tij për t’u rikthyer në Afganistan.

Mediat britanike, në reagimet e para të tyre, thonë se fotografitë nudo të princit nuk do të kenë ndikim aq negativ në imazhin e Herit, të cilin e pëlqen një pjesë e madhe e britanikëve.(e.p.)
XS
SM
MD
LG