Ndërlidhjet

NATO: Nga sulmi i brendshëm – 2 ushtarë të vrarë


Afganët i shikojnë mbeturinat e një makine pas një eksplodimi të mëparshëm në provincën Laghman

Afganët i shikojnë mbeturinat e një makine pas një eksplodimi të mëparshëm në provincën Laghman

NATO-ja ka njoftuar se dy ushtarë të saj janë vrarë sot nga i ashtuquajturi sulm i brendshëm nga pjesëtarët e armatës së Afganistanit.

Gynter Kac, zëdhënësi i Forcës Ndërkombëtare Ndihmëse të Sigurisë, që udhëhiqet nga NATO-ja, u tha sot gazetarëve në Kabul se incidenti kishte ndodhur në provincën Langham dhe se ushtari afgan ishte vrarë.

“Qitësi është vrarë, po zhvillohet hetim dhe kjo është krejt ajo që mund të them tash për këtë incident”, tha zëdhënësi Kac.

Nga sulmet e këtilla në muajin gusht në Afganistan janë vrarë së paku 12 ushtarë ndërkombëtarë, ndërsa prej fillimit të vitit më se 40.

Njëherësh, zyrtarët thonë se 17 civilë afganë janë gjetur me kokë të prerë dhe 10 ushtarë afganë janë vrarë sot në Afganistan.

Zyrtarët thanë se civilët, përfshirë dy gra, ishin vrarë me heqje koke në provincën Helmand, që konsiderohet bazë e talibanëve.

Në një incident të ndarë, janë vrarë 10 ushtarë afganë, gjatë një sulmi në një postbllok.

Zyrtarët thonë se duket se sulmi ishte një komplot i “brendshëm” në të cilin disa ushtarë i ndihmuan talibanët ta sulmojnë postbllokun.
XS
SM
MD
LG