Ndërlidhjet

Vetëvendosje, mobilizim kundër politikave të Qeverisë Thaçi


Albin kurti
Albin kurti
Lëvizja Vetëvendosje alarmoi strukturat e saj, duke i ftuar në mobilizim të jashtëzakonshëm, për t’i kundërshtuar politikat që po ndjek Qeveria e Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi.

Gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme organizative të Lëvizjes Vetëvendosje, lideri i saj, Albin Kurti i veçoi si shumë të dëmshme bisedimet me Serbinë, pranimin e fusnotës, si dhe procesin e privatizimit. Ndërkaq, në lidhje me mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë, Kurti tha se ajo nuk po përfundon, por po bëhet pjesë e institucioneve të Kosovës.



“Sipër Qeverisë së Kosovës ndodhet protektorati ndërkombëtar, i cili as nuk po përfundon, e as nuk po përmbyllet, por po hyn përbrenda institucioneve të Kosovës. Ky protektorat e ka sjellë paqen pa demokraci, sigurinë pa zhvillim dhe stabilitetin pa liri. Stabiliteti në Kosovë është rehati për burokratët ndërkombëtarë dhe zyrtarët qeveritarë, e kurrsesi për qytetarët e Kosovës. Kemi një Qeveri që është shumë e dobët karshi Serbisë dhe shumë e egër karshi qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Kurti.

Albin Kurti i bëri një krahasim edhe gjendjes politike në Kosovë sot dhe asaj të para luftës. Sipas tij, as atëherë dhe as tani, Kosova nuk është e lirë e sovrane dhe nuk është duke gëzuar demokracinë.

“Krahasuar me periudhën e okupimit të viteve ‘90, politikisht, shqiptarët e Kosovës kanë bërë kalimin nga burgu serb në spitalin ndërkombëtar. Atëherë ishim të burgosur ndaj të cilëve ushtrohej dhunë e përditshme. Subjektiviteti ynë politik nuk pranohej dhe i gjithë populli shtypej. Gjithsesi, nuk lejohej e drejta e vetëvendosjes. Pas çlirimit, dolëm nga burgu, por nuk dolëm në liri sepse na futën në spital. Tash, në spital, doktorët dhe motrat medicinale nuk na rrahin më, por sërish nuk lejohet e drejta e vetëvendosjes”, tha
Kurti.

Duke i cilësuar të dëmshme bisedimet me Serbinë dhe thirrjeve që qeveria po u bën edhe subjekteve opozitare që të përfshihen në këtë proces, si dhe duke e cilësuar si shumë të dëmshëm procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike, Vetëvendosje ftoi strukturat e saj që të mobilizohen kundër këtyre veprimeve të qeverisë.

Këtë mobilizim e kumtoi aktivisti i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj:

“Kjo mbledhje ka për qëllim që përballë këtij mobilizimi të pushtetit, të ndodhë një mobilizim i jashtëzakonshëm i të gjitha niveleve të Lëvizjes Vetëvendosje për ta përballuar dhe ndalur këtë projekt, i cili besojmë se do ta dëmtojë Kosovën në të gjitha rrafshet”.

Vetëvendosje vlerësoi, po ashtu, se shteti i Kosovës është i rrezikuar si asnjëherë më parë, andaj edhe paralajmëroi këto masa, siç thuhet, të jashtëzakonshme mobilizuese.
XS
SM
MD
LG