Ndërlidhjet

Maqedoni: PDSH i kërkon BDI-së largimin nga qeveria


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë

Partia Demokratike Shqiptare e opozitës ka braktisur koordinimet mes grupeve parlamentare në Kuvendin e Maqedonisë, dy ditë para se të nis shqyrtimi në komisionin e punës dhe të politikës sociale të propozim ligjit të VMRO-DPMNE, për zhdëmtimin e pjestarëve të forcave të sigurimit që kanë pësuar në konfliktin e vitit 2001.

Kryetari i grupit parlamentar të PDSH-së, Imer Aliu tha se një veprim i këtillë ndërmerret për të parandaluar miratimin e këtij ligji që përjashton shqiptarët të cilët po ashtu kishin pësuar nga konflikti i para 11 viteve si pjestarë të ish- UÇK-së.

Aliu tha se vendimi i PDSH-së është vazhdimësi e mbështetjes që ajo i po i jep BDI-së e cila po ashtu ka dalë kundër këtij ligji të partnerit të saj të koalicionit.

Mënyra më e mirë për të parandaluar këtë, u shpreh Aliu, është që BDI të braktisë qeverinë para nisjes së debatit parlamentar.

“Vlerësojmë se tani është momenti për parandalimin e miratimit të këtij ligji.Tani është momenti para se të fillojë që të shqyrtohet ky ligj në komisione dhe seancë plenare që BDI të lëshojë qeverinë. Në qoftë se tani kjo nuk ndodh, ky ligj do të miratohet, dhe fajin për miratimin e këtij ligji do ta bartë Bashkimi Demokratik për Integrim”, theksoi Imer Aliu duke shtuar se BDI duhet të dëshmojë nëse kundërshtimi i këtij projektligji është i sinqertë apo vazhdimësi, e siç ka thënë ai, e pazarllëqeve që ajo ka bërë që veprimit të saj në qeveri.

“Në qoftë se kjo nuk ndodh, ne vlerësojmë se është vetëm një pazarllëk i ulët i dhe një dallavere e radhës e Bashkimit Demokratik për Integrim e cila tashmë është e mësuar me veprime të këtilla në mandatin e tyre katër vjeçar. Për fat të keq, si pasojë e këtyre lojrave politike gjithmonë pësojnë shqiptarët”, deklaroi Aliu.

Nga BDI-ja nuk kanë komentuar thirrjen e PDSH-së, por zyrtarë të saj në disa raste kanë përsëritur qëndrimet e tyre se miratimi i një ligji të këtillë nga ana e VMRO-DPMNE-së do të rrezikonte vazhdimin e partneritetit qeveritar me partinë e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Ndryshe lidhur me krizën qeveritare dhe rastin e fundit të ndërrimit të emrave të katër shkollave në komunën e Çairit nga maqedonas në shqiptarë, është prononcuar edhe presidenti i shtetit Gjorgje Ivanov.

“Institucionet duhet të funksionojnë dhe të ndërmarrin atë që është në kompetence e tyre. Vlerësoj se e gjithë kjo është politike ditore, por duhet t'i lëmë parnerët e koalicionit që të kryejnë detyrën e tyre”, u shpreh presidenti pa sqaruar nëse me këtë nënkupton ndërhyrjen e qeverisë, e cila është kërcënuar me masa për kthimin e tabelave me emrat e personalisteve maqedonase apo nëse mbështet miratimin e ligjit për pjestarët e forcave të sigurimit.

Ndryshe kriza në funksionimin mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së u përshkallëzua pas aktit të ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Besimi, i cili së bashku me disa eprorë shqiptarë të ARM-së kishte bërë homazhe pranë një memoriali të UÇK-së në Sllupçan të Kumanovës.

Këtij veprimi VMRO-ja e kryeministri Gruevski i është përgjigjur projekt ligjin për pjestarët e forcave të sigurimit nga viti 2001 duke ofruar beneficione të shumta për të gjithë ata që kanë pësuar në atë periudhë.
XS
SM
MD
LG