Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Partitë rrisin tensionet ndëretnike


Shkup...

Shkup...

Edhe të enjten në Maqedoni, ka vazhduar debati polemizues në komisionin e punës dhe politikës sociale rreth projektligjit të VMRO-DPMNE-së për të drejtat e veçanta për pjesëtarëve e forcave maqedonase të sigurimit që janë dëmtuar gjatë konfliktit të vitit 2001.

Sikur në seancën e një ditë më parë, ashtu edhe të enjten, partitë janë ndarë në dy blloqe etnike, sa i përket këtij propozimi që nga partitë shqiptare vlerësohet si antishqiptar dhe diskriminues, pasi përjashton ish-pjesëtarët e UÇK-së që kanë pësuar nga konflikti.

Nga BDI-ja kanë paralajmëruar se do të përdorin të gjitha format demokratike për të penguar miratimin e ligjit dhe kjo duket edhe në këtë mbledhje, ku për fjalime janë paraqitur shumë deputet, paritë shqiptare të opozitës PDSH dhe RDK kanë dalë në mbrojtje të BDI-së, ndërsa LSDM-ja edhe pse kritikon politikat e Gruevskit, ka thënë se do të mbështesë miratimin e ligjit.

Duke komentuar pozicionet e këtilla të partive dhe tensionet gjithnjë e në rritje në baza etnike, Fejzi Hajdari, analist dhe botues i gazetës “Lajm” në Maqedoni, thotë se bëhet fjalë për një lojë të tejdukshme politike, e cila, fatkeqësisht mund të ketë pasoja të paparashikueshme për Maqedoninë.

Ndasitë etnike në Maqedoni ekzistojnë një kohë të gjatë, mirëpo thellimi i tyre kohëve të fundi është si rezultat i një politike logjike që po bënë kohëve të fundit koalicioni qeveritar VMRO- DPMNE me BDI, i cili si formulë për mbetjen afatgjate në pushtet sheh pikërisht ngacmimin e ndjenjave etnike”.

Mendoj se bëhet fjalë për një strategji të koordinuar shumë mirë. VMRO-DPMNE vazhdimisht ndërmerr hapa konkret që provokojnë shqiptarët, ndërkohë BDI ndërmerr hapa simbolik që provokojnë maqedonasit, dhe si rrjedhojë e kësaj tani, katër vjet janë në pushtet. Pra, është një lojë shumë e tejdukshme, por që fatkeqësisht do të ketë pasoja afatgjate për Maqedoninë”, thotë Hajdari, analist dhe botues i gazetës “Lajm” kërcënime

Mirjana Malevska, studiuese e ndëretnicitetit thekson përplasjet mes partive janë të karakterit propagandistik, por, pozicionimet e tyre në baza etnike janë të rrezikshme për shoqërinë në Maqedoni

Vlerësoj se bëhet fjalë për një lojë politike që ka qëllime politike, por, që janë shumë të rrezikshme pasi në njërën anë kemi maqedonasit dhe në anën tjetër shqiptarët. Me siguri se pjesëmarrësve në këtë lojë politike u intereson vetëm se rezultati i rritjes së popullaritetit të tyre tek zgjedhësit, por, e gjithë kjo reflektohet shumë negativisht në rritjen e tensioneve dhe të ndarjeve etnike në vend dhe përgjegjësia më e madhe për këtë bie mbi VMRO-DPMNE-në, e cila, duke udhëhequr politikë nacionale ka arritur kufirin në raport me partnerin e saj të koalicionit, BDI-në. Edhe partia shqiptare në ekzekutiv bartë përgjegjësi, por them se barra kryesore bie mbi VMRO-në”, shprehet Malevska.

Ajo thotë partitë në pushtet si në të kaluarën edhe tani besojnë se problemi mund të tejkalohet me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar për arritjen e një zgjidhjeje kompromisi.

Është e vërtetë, thotë Maleska, se faktori ndërkombëtar nuk do të tolerojë ndonjë përshkallëzim të situatës në aspekt të sigurisë siç përflitet nga qarqe të caktuar, por zgjidhja e problemit qëndron në duart e politikanëve të cilët edhe kanë krijuar problemin.

Shpresojmë se punët nuk do të shkojnë deri atje dhe se do të ketë ndonjë zgjidhje. Do të formohet një shumicë e re e cila do të punonte në përmirësimin e situatës”, thotë Maleska e bindur se pas situatës së krijuar janë të pashmangshme zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG