Ndërlidhjet

Vullin: Serbia do t'i mbështesë të kthyerit në Kosovë


Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vullin

Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vullin

Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vullin e ka vizituar fshatin Osojan në afërsi të Pejës dhe u ka premtuar banorëve serbë të këtij fshati se shteti i Serbisë do të kujdeset edhe më shumë se deri më tash për të kthyerit.

Mediat serbe e kanë cituar Vullinin të ketë thënë se duhet bërë çmos që serbëve të kthyer në Kosovë t’iu sigurohet “jetesa e drejtë dhe e ndershme”.

Ai ka theksuar se “ekzistojnë një numër keqpërdorimesh”, por se “kjo nuk është arsye që Serbia të mos kujdeset për serbët që jetojnë në Kosovë”.

“Ndihmën për të kthyerit dhe shtesat për Kosovën nuk do t’i heqë askush, por ato do të shpërndahen ndryshe dhe në mënyrë më të drejtë”, ka thënë Vullin në Osojan.

Ai e ka vizituar edhe fshatin Zhaç, në të cilin, deri më tash janë kthyer 28 familje serbe.

Është paralajmëruar se gjatë ditës së sotme, Vullin do ta vizitojë edhe Patrikanën e Pejës dhe fshatin Gorazhdec, ndërkaq në mbrëmje do të vizitojë Shtërpcën.

Gjatë ditës së nesërme, Vullin do të qëndrojë edhe në Prizren.

Ndryshe, zyrtarët qeveritarë në Kosovë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë, se Vullin, po qëndron në vend me lejen e autoriteteve kosovare.
XS
SM
MD
LG