Ndërlidhjet

Kosovë: Në burgun e Dubravës, 601 të burgosur në grevë


Ilustrim

Ilustrim

Nga 1011 të burgosur sa janë në Qendrën Korrektuese të Dubravës, 601 prej tyre kanë hyre në një grevë, duke refuzuar ushqimin e ofruar nga qendra.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Resmi Hoxha tha për Radion Evropa e Lirë se të burgosurit po kërkojnë që amnistia të futet si kategori kushtetuese dhe ata të gëzojnë të drejtën për falje.

Preteksti i mosmarrjes së drekës është kërkesa që të ketë amnisti dhe që tash në fazën e zhvillimeve për ndryshimet kushtetuese, amnistia të jetë pjesë kushtuese...

Preteksti i mosmarrjes së drekës është kërkesa që të ketë amnisti dhe që tash në fazën e zhvillimeve për ndryshimet kushtetuese, amnistia të jetë pjesë kushtuese, që pastaj të ketë mundësi që të nxirret ligji për amnisti. Janë duke biseduar stafi, ne po supozojmë që ata do t’i kuptojnë realisht përpjekjet e ministrisë dhe shtetit, që amnistia nuk mund të ndodh pa pasë infrastrukturë ligjore, dhe të shohim më tutje. Sot e kanë refuzuar ushqimin 601 të burgosur”, shpjegoi Hoxha.

Ai ka thënë së të burgosurit kanë të drejtë në kërkesat e tyre dhe se sipas tij, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi me kohë e ka dërguar kërkesën e tyre në Qeveri, Kuvend dhe në Komisionin për Ndryshimet Kushtetuese.

Hoxha bëri të ditur se me të burgosurit është duke komunikuar një ekip profesional, për t’iu shpjeguar procedurat e paraqitjes se kërkesave të tyre.

Të burgosurit kanë të drejtën e tyre dhe ne jemi duke bërë përpjekje maksimale që të kalojë në ndryshimet kushtetuese edhe çështja e amnistisë, dhe të nxirret ligji për amnisti. Unë besoj që çdo gjë që është e drejtë e tyre dhe që shkon në favor të tyre ne jemi pro asaj. Ne prapë do të bëjmë presion në të gjitha organet kompetente që kjo kërkesë e tyre të gjejë vend në ndryshimet kushtetuese, po a do të ketë mundësi ligjore komisioni për të vepruar, kjo është çështje tjetër”, tha Hoxha.

Nga ana tjetër, edhe drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë, Behxhet Shala, tha se grevistët kanë të drejtë në kërkesat e tyre.

Shala thotë se për vite me radhë, të burgosurve u është premtuar që ligji për amnisti të behet kategori kushtetuese, por deri më tash një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Tash është gjendja e qetë, por ka tendencë që kjo greve të shkojë drejt zgjerimit.

Ne në vazhdimësi jemi në kontakt me të burgosurit dhe ata na informojnë për gjendjen brenda. Ne po ashtu jemi në kontakt edhe me stafin korrektues, dhe ata na informojnë për gjendjen. Tash është gjendja e qetë, por ka tendencë që kjo greve të shkojë drejt zgjerimit”, tha Shala për Radion Evropa e Lirë.

Zoti Shala tha se të gjitha shtetet në rajon dhe më gjerë e kanë ligji për amnisti, ndërsa Kosova, siç shprehet ai, ka mbetur i vetmi shtet që ende nuk e ka një ligj të tillë.

Për më tepër, ai konsideron se pengesat më të madha në ketë drejtim kanë qenë dhe janë nga ndërkombëtarët që veprojnë në Kosovë.

Kjo çështje është duke u zvarritur për me shumë se shtatë vjet. Është nonsens që Kosova po mbetet i vetmi shtet i cili nuk e ka futur amnistinë si kategori kushtetuese dhe çështja e amnistisë nuk është e rregulluar me ligj. Kuvendi është i interesuar këtë ligj ta kalojë. Ministria e Drejtësisë e ka bërë hapin e saj duke e dërguar propozimin në Kuvend, mirëpo që nga fillimi, kundërshtarë të miratimit të këtij ligji kanë qenë ndërkombëtaret”, u shpreh Shala.

Sido që të jetë, autoritetet nga Qendra Korrektuese në Dubravë kanë bërë të ditur se të gjitha aktivitetet janë duke u zhvilluar pa problem, ndërsa gjendja e sigurisë vlerësohet të jetë stabile.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG