Ndërlidhjet

logo-print

Obama: Heqja e mbikëqyrjes, arritje historike

  • RFE /RL

Barak Obama

Barak Obama

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka “mirëpritur dhe mbështetur fuqishëm vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar se mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës i ka ardhur fundi”.

Në një komunikatë të lëshuar për opinion, presidenti amerikan citohet të ketë thënë se “pas pothuajse katër vitesh e gjysmë, përmbushja e provizioneve të Planit Gjithëpërfshirës është arritje madhore për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Me optimizmin, energjinë dhe vendosmërinë karakteristike të popullit të saj, Kosova ka arritur përparim thelbësor në fuqizimin e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve të një shteti modern, shumëkombësh, përfshirës dhe demokratik”, ka thënë presidenti Obama.

Ka ende punë për t’u bërë, ndërkohë që liderët e Kosovës tani marrin përsipër përgjegjësinë e pilotë për të siguruar se parimet e deklaratës së pavarësisë dhe kushtetutës zbatohen për çdo qytetar, ka thënë zoti Obama.

Kosova gjithashtu duhet të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive me fqinjët e saj dhe të punojë në zgjidhjen e çështjeve të hapura, veçanërisht ato në raport me Serbinë”.

Një gjë e këtillë nënkupton fuqizimin e pavarësisë së Kosovës, sovranitetit dhe tërësisë së saj territoriale dhe do të shërbejë për të promovuar stabilitetin, mbi të cilin varen prospektet euro-atlantike në rajon”, citohet të ketë thënë presidenti amerikan.

Në emër të popullit amerikan, uroj qeverinë, parlamentin dhe popullin e Kosovës për këtë arritje historike, me të cilën Kosova ndërmerr edhe një hap të rëndësishëm drejt vendit që i takon, në një Evropë të lirë, të tërësishme dhe paqësore, thuhet në fund të komunikatës së presidentit amerikan, Barak Obama. (a.v.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG