Ndërlidhjet

logo-print
Një ditë pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, përfaqësuesit e institucioneve thonë se tash ata janë më të lirë që të veprojnë për shtrirjen e autoritetit në veri të vendit.

Zyrtarë vendorë e ndërkombëtarë, me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të Kosovës thanë se veriu mbetet sfida më e madhe për institucionet.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së kryesisë tha se tash ajo pjesë e Kosovës do të jetë përgjegjësi e institucioneve vendore.

Ajo pjesë është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës, por do të jetë edhe një koordinim me faktorin ndërkombëtar që është prezent në Kosovë”, deklaroi Krasniqi.

Përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë, sipas Krasniqit, nuk ka ndikuar në punën e Kuvendit, për faktin se, sipas tij, vendimet e mëdha janë marrë me shumicë votash.

Për shtrirjen e ligjshmërisë në pjesën veriore, Krasniqi konsideroi se duhet të realizohen planet dhe projektet, por plan më i mirë për integrimin e veriut të Kosovës, mbeti ai i Ahtisaarit.

Kjo varet kryesisht nga projekti që do ta bëjë qeveria për t’iu qasur komunikimit me qytetarët serbë të Kosovës të asjaj pjese. Unë jam i bindur që projektin Kosova e ka. Projekt më të mirë për komunitete nuk kemi as në rajon e as në vendet e Bashkimit Evropian, e ai është projekti gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës”, deklaroi Krasniqi.

Qeveria e Kosovës për të nisur shtrirjen e autoritetit në veri të Mitrovicës, së fundi hapi Zyrën Administrative, hapi i dytë parashihet të jetë dialogu me komunitetin serb dhe tjetri, organizimi i zgjedhjeve dhe formimi i organeve kompetente.

Sa i përket veriut, Plani i Ahtisarit nuk është zbatuar asnjëherë, pasi që atje, ka mungesë të shtrirjes së rendit kushtetues.

Partitë politike opozitare, kritikojnë qeverinë se edhe para fundit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, ka pasur mundësi të veprojë në veri.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se askush deri më tash nuk e ka penguar Qeverinë e Kosovës që të ketë një platformë të qartë për veriun e Kosovës dhe që në atë pjesë të Kosovës të sundojë rendi dhe ligji.

Beqiri, duke aluduar në kryeministrin Thaçi, theksoi se gradualisht po ngushtohet rrethi i fjalëve të mëdha e i punëve të vogla.

“Sigurisht që tash institucionet e Kosovës janë më të lira që të veprojnë në veri. Kjo nuk do të thotë se ato nuk kanë qenë të lira, por kjo nuk do të thotë që atje të shkohet dhe të bëhen aventura, pa rezultate, gjë që dëshiroj të besoj që nuk do të provojnë diçka të tillë sepse është bumerang”, deklaroi Beqiri.

Ardian Gjini shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, thotë se për zgjidhjen e veriut të Kosovës, duhet të jetë një plan i cili duhet hartuar nga institucionet e vendit dhe jo nga dikush tjetër.

Përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur mund të shërbejë si një moment i nisjes më serioze, se asgjë nuk i ka penguar edhe deri tash që ta nisin planin”, u shpreh Gjini.

Kurse deputetja Alma Lama nga subjekti politik Vetëvendose, deklaroi së mbikëqyrja për Kosovën nuk ka përfunduar dhe se, siç shprehet ajo, vështirë se mund të besohet që Qeveria do të mund të bëjë një zgjidhje për veriut.

Është e vështirë të besohet që Qeveria e Kosovës në këto momente mund të shtrijë ligjshmërinë, kur ka toleruar në mënyrë të jashtëzakonshme që të ndodhin gjera të tilla në veri, siç kanë ndodhur, dhe mbi të gjitha ka toleruar që të mbyllet një proces që e quajnë përmbyllja e procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë, pa u realizuar me të vërtet objektivat e kësaj përmbylljeje”, u shpreh ajo.

Sidoqoftë, veriu i Kosovës vazhdon të mbetet jashtë kontrollit të autoriteteve të shtetit të Kosovës, përderisa me vite atje funksionojnë struktura të pushtetit të Serbisë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG