Ndërlidhjet

Si mbrohet liria e të shprehurit në SHBA?


Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës
“Pafajësia e myslimanëve” - një film i prodhuar në Shtetet e Bashkuara, i cili përshkruan me tallje Profetin Muhamed - ka dominuar titujt botërorë këtë javë, pasi ka shkaktuar protesta në gjithë Lindjen e Mesme. Nëse filmi ka qenë ofendues për kaq shumë njerëz, përse është lejuar të bëhet?!

“Kongresi nuk duhet të bëjë asnjë ligj që shkurton lirinë e të shprehurit” - është kjo fjalia, e cila gjendet fare në fillim të Ligjit për të Drejtat në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, është një nga parimet përcaktuese të SHBA-së dhe një nga garancitë e saj themelore.

I vendosur në amendamentin e parë të Kushtetutës nga “baballarët themelues” të vendit, ligji u siguron qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të drejtën për të shprehur idetë dhe opinionet, pa frikën e censurës së qeverisë apo të hakmarrjes.

Garancia është mbështetur dhe interpretuar në rastet ligjore në SHBA, duke u lejuar aktivistëve pro dhe kundër abortit të flasin me mendjen e tyre, mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe racistëve të shprehin mendimet e tyre, myslimanëve dhe hebrenjve po ashtu...

Xhejms Medison, i cili konsiderohet si autori kryesor i Ligjit për të Drejtat në Shtetet e Bashkuara, dikur e pati përshkruar atë si “një shpirt që ushqen lirinë dhe në këmbim ushqehet nga ajo”.

Sipas drejtorit të Qendrës për Studime Amerikane në Britani, Xhulian Killingllej, përkufizimi i Medisonit do të thotë “një treg i ideve”.

“Qasja e amerikanëve, që nga kohët e hershme, ka qenë diçka që avokatët amerikanë e quajnë ‘treg i ideve’. Dhe, ideja është që në një betejë në mes të gënjeshtrës dhe të vërtetës, sa më shumë fjalë që të lejohen, ato do të nxjerrin të vërtetën”, thotë Killingllej.

Në këtë frymë, ai kujton se njerëzit janë të lirë të shprehin idetë e tyre, edhe kur ato janë të dëmshme.

Rrjedhimisht, Qeveria e Shteteve të Bashkuara, për shembull, nuk mund të vendosë për ndalimin e një filmi, të tillë si “Pafajësia e myslimanëve”, edhe nëse ai do të ofendojë një numër të madh të shikuesve.

Nisur nga liria e njëjtë që vlen për prodhuesit e filmit, edhe qeveria ka të drejtë të flasë publikisht kundër filmit ose të shprehë qëndrimin e saj se përmbajtja e tij nuk përfaqëson vlerat e vendit.

Ueb-faqja private YouTube, e cila ka postuar disa fragmente të “Pafajësisë së Myslimanëve”, mund të bllokojë qasjen në to, ashtu siç ka bërë në Libi dhe Egjipt. Por, Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk mund ta detyrojë në një gjë të tillë.

Agjencitë rregullatore mund të vënë etiketa paralajmëruese në filmat e shitur për publikun e gjerë, nëse mendojnë se ata mund të jenë shqetësues për shikuesit e rinj, por autoritetet nuk mund të ndalojnë publikimin dhe shpërndarjen.

Pornografia e fëmijëve, nxitja e krimit apo publikimi i informacionit të sigurisë kombëtare janë shembuj të shprehjes që mund të shtypen ligjërisht nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara.(v.t.)
XS
SM
MD
LG