Ndërlidhjet

Protesta në Lindjen e Mesme, reagon edhe Merkel


Kabul, 17 shtator 2012.
Kabul, 17 shtator 2012.
Protestat kundër filmit anti-islamik, i cili tall Profetin Muhamed, kanë vazhduar të tronditin botën myslimane.

Një person është vrarë në Pakistan, në përleshjet ndërmjet protestuesve dhe policisë. Qindra njerëz në Kabul kanë thirrur parulla anti-amerikane.

Në Xhakartë të Indonezisë, policia ka përdorur topat e ujit dhe të shtënat paralajmëruese për të shpërndarë protestuesit. Në Azerbajxhan, rreth 20 persona janë arrestuar jashtë Ambasadës amerikane.

Studentët në Jemen kanë bërë thirrje për dëbimin e ambasadorit të SHBA-së. Në Liban, lideri i Hezbollahut ka bërë thirrje për një javë protesta kundër filmit.

Ndaj protestave ka reaguar sot edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

“Kur shohim pamjet nga vende të ndryshme të Lindjes së Mesme, kuptojmë se sa qetë jetojmë ne në Gjermani dhe në gjithë Evropën, kuptojmë se sa të rëndësishme janë parimet demokratike brenda Bashkimit Evropian dhe sa e rëndësishme është të mbrohet jeta e përbashkët paqësore dhe liria – liria e të shprehurit dhe liritë fetare në Evropë”, ka thënë Merkel, në konferencën për gazetarë në Berlin.

Protestat e nxitura nga filmi “Pafajësia e Myslimanëve”, i prodhuar në SHBA, kanë çuar në vrasjen e ambasadorit amerikan në Libi, Kristofer Stivens.

Numri total i vdekjeve në valën e këtyre protestave ka arritur në 18.
XS
SM
MD
LG