Ndërlidhjet

Fyle: Të realizohet Marrëveshja e Ohrit


Shtefan Fyle dhe Nikolla Gruevski

Shtefan Fyle dhe Nikolla Gruevski

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle, dha porosi të qartë për autoritetet zyrtare të Maqedonisë se, realizimi në përpikëri i Marrëveshjes së Ohrit si dhe realizimi i reformave të përcaktuara për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, janë vizionet e vetme, në të cilat duhet të orientohet Maqedonia.

Gjatë qëndrimit në Shkup, Fyle tha se Maqedonia ka shënuar përparim sa i përket përmbushjeve të prioriteteve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sidomos në pesë sferat e dialogut të nivelit të lartë për integrimin e Maqedonisë në BE.

Megjithatë, në pyetjen se a do të marrë ose jo datë për anëtarësim, Maqedonia, komisionari Fyle tha:

“Rregullat janë të qarta, ndërsa Komisioni po punon në përpilimin e raportit për përparimin e Maqedonisë dhe se i njëjti do të prezantohet muajin e ardhshëm, megjithëse për momentin kam një ndjenjë të mirë për këtë çështje”.

Fyle përshëndeti vendimin e Qeverisë së Maqedonisë sa i përket vendimit për dekriminalizimin e shpifjes, duke theksuar se shpreson që ky proces të realizohet sipas standardeve që vlejnë në vendet e zhvilluara demokratike.

Shtefan Fyle dhe Nikolla Gruevski

Shtefan Fyle dhe Nikolla Gruevski

“Kjo është një çështje kyçe. Në këtë fazë shpresojmë se dekriminalizimi i shpifjes do të realizohet konform standardeve evropiane. Tani në kohën që Qeveria ka miratuar propozim-ligjin për dekriminalizimin e shpifjes, është me shumë rëndësi që të harmonizohet dhe me ligjet e tjera që prekin këtë çështje”, u shpreh Fyle, duke theksuar se Maqedonia dhe Greqia duhet të angazhohen rreth zgjidhjes së kontestit të emrit, për t`i hapur rrugë procesit të integrimit.

“Do të doja që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të paraqesë një shkop magjik për zgjidhjen e problemit, por nuk është. Thjesht, kjo paraqet kthim në të kaluarën", deklaroi në Shkup komisionari për Zgjerim, Shtefan Fyle.

Ndërkaq, duke komentuar tensionimet mes partive politike, Fyle tha se problemet duhet zgjidhur në mënyrë kreative, kurse, sipas tij, injorimi i problemeve assesi nuk do të thotë zgjidhje e së njëjtave:

"Bëhet fjalë për partitë politike, të cilat sendërtohen mbi bazën e vet etnike, ndërsa në llogari të stabilitetit politik. Mund të dërgojmë sa të duash mesazhe nga Brukseli se kjo rrugë nuk çon askund, por ju jeni ata të cilët shpresoj se nuk do ta humbni aftësinë që të shihni se kjo ka rezultate negative dhe ndikim të madh mbi gjithë këtë që e bëni, por më e rëndësishmja është rruga juaj drejt Bashkimit Evropian" .

Ai, njëherësh u bëri thirrje që të gjitha palëve të angazhohen përmes dialogut politik për të përmbushur reformat në planin e integrimit evropian dhe marrjen e një raporti pozitiv për Maqedoninë.

Nga ana tjetër, duke folur po për tensionet e fundit ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, tha se Qeveria dhe autoritetet e shtetit vazhdojnë të punojnë me kapacitete të plota, ndërsa dallimet partiake nuk kanë kapacitet për të shkaktuar destabilizm ndëretnik.

“Marrëdhëniet brenda Qeverisë janë komplekse dhe se partnerët e koalicionit po përballen me sfida, për të cilat po bëhen përpjekje për t`i tejkaluar përmes kontakteve të përditshme në nivele të ndryshme partiake. Qeveria dhe organet e shtetit po punojnë me kapacitet të plotë, ndërsa sfidat dhe qëndrimet e ndryshme, nuk kanë potencial për të shkaktuar destabilizim dhe tensione në planin ndëretnik”, deklaroi Gruevski pas takimit me komisionarin për zgjerim të BE-së.

Ndryshe, vizita e së hënës ishte e treta me radhë e komisionari për Zgjerim, Shtefan Fyle, në Maqedoni, në kuadër të dialogut inkuadrues të nivelit të lartë. Vizita e tij realizohet në vigjilje të publikimit të Raportit vjetor të Komisionit Evropian për progresin e Republikës së Maqedonisë, më 10 tetor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG