Ndërlidhjet

Komunat në Maqedoni: Ndarje politike e buxhetit


Ilustrim
Ilustrim
Kryetarët e komunave që i takojnë opozitës, thonë se shpërndarja e mjeteve nga arka shtetërore nëpër komuna bëhet në formë përzgjedhëse varësisht nëse komunat përkatëse udhëhiqen nga pushteti ose opozita.

Kryetari i Komunës së Karposhit të Shkupit, Stevce Jakimovski nga radhët partisë maqedonase në opozitë, LSDM, nënvizon se hilet e pushtetit qendror janë të shumta.

Sipas tij, pushteti qendror për kryetarët e komunave që udhëhiqen nga opozita, jo rrallëherë limiton mjetet financiare sa i përket përparimit të arsimit, infrastrukturës, kulturës, sportit dhe zhvillimit ekonomik.

“As për së afërmi nuk mjaftojnë mjetet e destinuara për arsimin, sepse faturat për ngrohje dhe mirëmbajtje higjienike në shkolla dyfish janë më të larta nga mjetet që pushteti i destinon për këtë çështje. Ka shumë stërkëmbëza, si shembull marr rastin e fundit kur 52 punonjëse në kopshtet e fëmijëve pasi u pensionuan, pushteti qendror i ka bllokuar tërësisht këto mjete, duke pamundësuar punësime të reja, në dëm të interesave të fëmijëve”, thotë Jakimovski.

Ndërkohë, kryetarët e komunave rurale ankohen se ballafaqohen me shumë vështirësi në grumbullimin e mjeteve në arkën komunale sa i përket të hyrave nga TVSH-ja dhe tatimi në pronë, gjë që nuk jep mundësi për një zhvillim të hovshëm të komunave që drejtojnë.

“Sidomos mjetet, të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin e arsimit, janë shkurtuar në masë të konsiderueshme. Edhe në mbledhjet e Bashkësisë për Qeverisje Lokale disa herë kam kërkuar që hiseja që u takon si bllok donacion për arsimin, të mos shkurtohet në asnjë mënyrë, sepse nuk mund të kemi arsim cilësor pa siguruar kushtet elementare nëpër shkolla. Por, realisht ndodh e kundërta, mjetet shkurtohen me rebalancimin e buxhetit të Qeverisë”, shprehet Basri Bajrami, kryetar i Komunës së Haraçinës së Shkupit.

Bajrami thotë se problem më vete paraqet dhe mos-harmonizimi i prioriteteve të komunës me interesat e pushtetit qendror.

“Për të gjitha prioritetet me sa shoh unë, mungon vullneti politik nga ana e pushtetit qendror ose udhëheqësisë së Qeverisë”, shton Bajrami.

Por, këtë mendim nuk e ndajnë kryetarët e komunave që i takojnë shumicës parlamentare. Vlladimir Talevski, kryetar i Komunës së Manastirit, potencon se komunikimi i tij me autoritetet shtetërore sa i përket menaxhimit të projekteve, është shumi i mirë dhe reagimi i pushtetit qendror është i shpejtë, në interes të përmbushjes së kërkesave të qytetarëve.

“Me rregull, në konton tonë, hidhen mjetet financiare të parapara me ligj, mbase ka probleme sa i përket borxheve të trashëguara, por ngadalë edhe ato tejkalohen dhe mund të them se me sukses”, thotë Talevski.

Ndryshe, Ligji për pushtetin vendor ka hyrë në fuqi nga 1 korriku i vitit 2005, kur dhe filloi të funksionojë procesi i decentralizimit në Maqedoni pas ndarjes territoriale të vitit 2004, ku territori i Maqedonisë u nda në 84 komuna nga 123 sa kishte më parë dhe Shkupi funksionon si njësi e veçantë administrative.
XS
SM
MD
LG