Ndërlidhjet

Protestat që ndezën kritikat ndaj Obamës


Barak Obama
Barak Obama
Në vitin 2009, vetëm pas pesë muajsh në presidencë, Barak Obama ka mbajtur një fjalim në Kajro, për të sinjalizuar atë që shpresonte të bëhej një fillim i ri me botën myslimane.

Kam ardhur në Kajro për të kërkuar fillim të ri ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe myslimanëve në mbarë botën, të bazuar në interesa dhe respekt të përbashkët, të bazuar në të vërtetën se Amerika dhe Islami nuk duhet të jenë në konkurrencë. Në vend të kësaj, ata ndajnë parime të përbashkëta – parime të drejtësisë dhe përparimit, tolerancës dhe dinjitetit të të gjitha qenieve njerëzore”, ka thënë Obama.

Pas tashmë një dekade të përfshirjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Irak dhe Afganistan, Obama kërkon të ndërrojë faqen e viteve të mosbesimit dhe dyshimit të ndërsjellë.

Por, derisa protestat anti-amerikane, të nxitura nga filmi anti-islamik, vazhdojnë, politikat e pas-Pranverës Arabe të Obamës janë vënë në thumb të kritikave.

Republikanët, të cilët bëjnë përpjekje të rikthejnë Shtëpinë e Bardhë, kanë marrë si shkas vdekjen e dhunshme të ambasadorit në Libi dhe të tre amerikanëve të tjerë, për të kritikuar presidentin Obama për udhëheqje të dobët.

Studiuesi në Institutin Amerikan të Uashingtonit, Majkëll Rubin, ashtu si edhe shumica e analistëve të huaj, thotë se vala e zemërimit anti-amerikan buron nga zhgënjimi i thellë i myslimanëve arabë me dekadat e shtypjes dhe të mungesës së mundësive ekonomike.

Mendoj se 80 për qind e asaj që po shohim në Lindjen e Mesme aktualisht, ka të bëjë me politikat e brendshme të botës arabe”, thotë Rubin.

Eron Dejvid Miller, studiues i Lindjes së Mesme në Qendrën “Woodrow Wilson”, thotë se të fajësosh politikat e Obamës për protestat anti-amerikane është “gabim dhe pa vend”.

Zemërimi është ndërtuar gjatë 40 vjetësh, nën administratat e republikanëve dhe demokratëve. Është zemërim që bazohet në atë që perceptohet si mbështetje e jona e verbër për Izraelin, zemërim që pason vendosjen tonë ushtarake në Irak dhe Afganistan, zemërim kundër politikave tona anti- terrorizëm”, thotë Miller.

Sipas tij, ndikimi i Shteteve të Bashkuara është tkurrur në vendet, ku qeveritë post-revolucionare dominohen nga politikanë islamikë, të cilët janë më pak të gatshëm sesa paraardhësit e tyre të qetësojnë tensionet e protestave anti-amerikane. Ngritjen në pushtet të liderëve të rinj, ai madje e cilëson si “Pranverë Islamike”.

Miller thotë se do të pëlqente të shihte Obamën duke i dërguar një mesazh më të fuqishëm presidentit të Egjiptit, Muhamed Morsi, i cili ka pritur disa orë para se ka dërguar policinë të ndalojë turmat që kanë sulmuar ambasadën amerikane në Kajro. Morsi ka dënuar dhunën dhe ka bërë thirrje për qetësi, por vetëm pas një telefonate nga Obama.

Por, Majkëll Rubin mendon se Shtëpia e Bardhë ka mundur të bëjë më shumë për të ndaluar islamikët nga rritja në pushtet, duke mbështetur më shumë kandidatët demokratikë.

Ai fajëson Shtëpinë e Bardhë për mbështetje në aleatët rajonalë.

Kur bëhej fjalë për Egjiptin, Libinë, ne kemi punuar përmes Katarit, Turqisë, madje edhe Arabisë Saudite. Këtu do të fajësoja presidentin Obama, sepse duket se ka harruar se këto vende kanë pasur agjendat e tyre dhe, pa përjashtim, ato kanë qenë të prira të financojnë dhe mbështesin fraksione më radikale”, thotë Rubin.

Në fjalimin e tij në Kajro, më 2009, Obama ka shprehur mbështetje të fuqishme për parimet demokratike, por po ashtu ka thënë se “asnjë sistem i qeverisjes nuk mund dhe nuk duhet të imponohet nga një vend tjetër”.

Në vitin 2011, disa muaj pas nisjes së Pranverës Arabe, ai ka bërë një fjalim tjetër, në të cilin ka shpalosur një plan të guximshëm për të ndihmuar vendet që papritur kanë gjetur veten e tyre në mes të tranzicionit politik. Ai ka ofruar 4 miliardë dollarë për Egjiptin, për të rritur investimet private, për të krijuar vende pune dhe për të falur borxhet.

Reagimi i Obamës ndaj diktatorëve arabë – disa, për kohë të gjatë, aleatë të Shteteve të Bashkuara – ka qenë i kujdesshëm. Ai është kritikuar se ka qëndruar për kohë të gjatë pranë presidentit të Egjiptit, Hosni Mubarak, por ka udhëhequr goditjet ajrore të NATO-s në Libi, të cilat kanë ndihmuar në rrëzimin e Muamer Gadafit, dhe ka bërë thirrje të vazhdueshme për largimin nga pushteti të presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad.(v.t.)
XS
SM
MD
LG