Ndërlidhjet

Pakistan: Protesta të dhunshme në mbrojtje të Profetit


Protestuesit në Islamabad, 21 shtator 2012...
Protestuesit në Islamabad, 21 shtator 2012...
Të paktën 15 persona kanë humbur jetën në protestat e së premtes në Pakistan. Dhjetëra-mijëra njerëz kanë mbushur rrugët e vendit për të shprehur zemërimin e tyre me filmin anti-islamik, të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, dhe karikaturat e Profetit Muhamed, të publikuara në një revistë franceze.

Dymbëdhjetë të vdekur - përfshirë këtu të paktën një polic - janë regjistruar si pasojë e përleshjeve që kanë shpërthyer kur protestuesit kanë bërë përpjekje të sulmojnë ndërtesën diplomatike të Shteteve të Bashkuara në qytetin port të Karachit.

Policia ka përdorur municion të vërtetë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, pasi persona të armatosur brenda turmës kanë shtënë drejt autoriteteve, duke vrarë të paktën një polic dhe plagosur dy të tjerë.

Të paktën tri vdekje të tjera janë raportuar në qytetin veriperëndimor të Peshawarit, ku janë djegur dy kinema dhe Dhoma e Tregtisë.

Protestuesit në Lahore dhe Islamabad, po ashtu, janë përleshur me policinë, pasi kanë bërë përpjekje të arrijnë pranë ambasadave të Shteteve të Bashkuara dhe Francës.

Në qytetin Muzaffarabad, vajza të reja u janë bashkuar protestuesve, duke kërkuar që krijuesve të filmit dhe botuesve të karikaturave t’iu prehen kokat.

“Dënimi për blasfemuesit është prerja e kokës. Dënimi për blasfemuesit është prerja e kokës”, kanë brohoritur ato.

Autoritetet në Pakistan kanë bllokuar shërbimin e telefonisë celulare në 15 qytete kryesore, përfshirë Islamabadin, Karachin dhe Lahoren, si pasojë e trazirave.

Zyrtarët, privatisht, kanë shprehur shqetësime se militantët mund të përdorin telefonat mobilë për të shpërthyer eksplozivë.

Dhuna e së premtes në Pakistan ka ndodhur me gjithë deklaratën zyrtare të Qeverisë se “e premtja duhet të jetë ditë e dashurisë për Profetin Muhamed”. Islambadi u ka bërë thirrje qytetarëve të protestojnë në mënyrë paqësore.

Në të paktën pesë vende të tjera, demonstruesit kanë djegur flamujt e Shteteve të Bashkuara dhe fotografitë e presidentit amerikan, Barack Obama, por, krahasuar me Pakistanin, protestat në to kanë qenë relativisht të qeta.

Franca ka urdhëruar të gjitha ambasadat e saj dhe zyrat diplomatike në vendet islamike që të mbyllen gjatë gjithë ditës së premte. Ministria e Brendshme franceze po ashtu ka ndaluar të gjitha protestat në Francë.

Filmi anti-islamik ka qenë shkak edhe i sulmit të protestuesve në Konsullatën e Shteteve të Bashkuara në Libi, ku, më 11 shtator, ka humbur jetën ambasadori amerikan Chris Stevens dhe tre bashkëpunëtorë të tij.

Fragmente të filmit “Pafajësia e Myslimanëve” paraqesin Profetin Muhamed si “gjysmë budalla dhe të dhënë pas grave”. (v.t.)
XS
SM
MD
LG