Ndërlidhjet

Serbia synon ndryshim të marrëveshjeve


Fotografi nga arkivi

Fotografi nga arkivi

“Qeveria e Serbisë është e vendosur që të vazhdojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, pra edhe për ato më të kontestueshmet, siç është Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të vendkalimeve administrative”, ka thënë drejtori për çështje strategjike dhe operative në procesin e bisedimeve, Dejan Paviçeviq.

Në një konferencë për gazetarë në Beograd, ai ka thënë se pjesë të kësaj marëveshjeje, që mund të mos jenë të favorshme për Serbinë, mund të bëhen të pranueshme.

“Duhet të jemi realë se ndryshime të mëdha dhe domethënëse nuk mund të ndodhin, por mund të ketë përmirësime”, ka thënë ai duke shtuar se këto pjesë mund të ndryshohen përmes punës në grupet për zbatimin e marrëveshjeve të Beogradit, Brukselit e Prishtinës.

Ai ka sqaruar ato që i cilëson pjesët të kontestueshme.

“Problemi më i madh mund të jetë prania e doganierëve kosovarë në të gjitha kalimet administrative. Ajo që është e paqartë dhe shihet edhe te kjo marrëveshje si dhe te ajo për Lirinë e Lëvizjes, është roli i EULEX-it në Jarinë dhe në Bërnjak”, ka thënë Paviçeviq.

Ai ka thënë se shumë gjëra do të qartësohen pas takimit të presidentit të Serbisë Tomsillav Nikolliq me shefen për diplomaci të BE-së, Kethrin Eshton.
Paviçeviq ka përsëritur se Serbia ka synim që ta ngrisë dialogun në nivel më të lartë politik.

Raundi i nëntë dhe i fundit i bisedimeve teknike mes Kosovës e Serbisë është mbajtur në muajin mars.

Në këto bisedime janë arritur 7 marrëveshje, por zbatimi i tyre ka shënuar ngecje.

Aktualisht flitet për ngritje në nivel politik të dialogut, por, ende nuk është konfirmuar asgjë zyrtarisht.
XS
SM
MD
LG