Ndërlidhjet

Maqedoni: Ndryshon projektligji për mediat e huaja


Ilustrim
Ilustrim
Qeveria e Maqedonisë ka lëshuar në procedurë parlamentare një projektligj të ri për punën e mediave të jashtme që raportojnë nga Maqedonia.

Propozimi i ri nuk përmban një nga nenet që ishte kontestuar me projektligjin e kaluar e që kishte të bënte me marrjen e anketave nga qytetarët për çështje të caktuara.

Por, partitë opozitare sërish kanë paraqitur vërejtje lidhur me variantin e ri që është propozuar nga Ministria e Drejtësisë.

Nga Rilindja Demokratike Kombëtare thonë se edhe ky propozim përmban kufizime që ndërlidhen kryesisht me regjistrimin e korrespodenturave të jashtme që do të veprojnë në Maqedoni.

Ajo që për ne është e papranueshme ka të bëjë me atë se me propozim-ligjin e ri institucionet e huaja informative mund të themelohen vetëm në bazë të marrëveshjes bilaterale mes Republikës së Maqedonisë dhe vendit të huaj përkatës që do të jetë një pengesë shumë serioze për veprimin e mediave të huaja në Maqedoni, pasi jo me të gjitha shtetet në sferën e medias Maqedonia ka të nënshkruar marrëveshje”, shprehet deputeti Izet Zeqiri.

Për deputetin e RDK-së, kontestues është edhe neni 10 i propozim-ligjit që parasheh përtëritjen për çdo vit të lejeve për punë të mediave të jashtme si dhe neni 14 që i jep të drejtën e diskrecionit ministrit të Jashtëm, nëse do të akreditojë ose jo ndonjë korrespondent të jashtëm.

Kjo lë mundësinë e bërjes së presionit ndaj medive të cilat nuk raportojnë në favor të pushtetit, kështu që çdo moment ata mund të jenë të shantazhuar për t'iu marrë vendimi apo leja për punë dhe fshirja nga regjistri i zyrës për korrespondentë”, thotë Zeqiri.

Por, nga Qeveria arsyetohen se procedura e marrjes së lejes për punë apo përtëritja e saj çdo vit nuk është ndonjë risi e ri pasi procedura e këtillë ka ekzistuar edhe më parë.

Propozimi, sipas zyrtarëve, është hartuar në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare dhe në asnjë mënyrë nuk synon kufizimin e veprimtarisë së mediave të jashtme të cilat edhe tani nuk kanë hapur në probleme gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre mediatike.

Ndryshe ndaj projektligjit të mëparshëm që kishte kaluar leximin e parë në Kuvend kishin reaguar edhe shumë organizata ndërkombëtare.

“Reporterët pa Kufij” i kishin bërë thirrje Kuvendit të Maqedonisë të mos e miratojë ligjin e propozuar apo të miratohet një variant tjetër që nuk cenon lirinë e informimit të mediave të huaja.

Me propozim-ligjin e ri synohet zëvendësimi i ligjit aktual, i cili është në fuqi që nga viti 1974.
XS
SM
MD
LG