Ndërlidhjet

Kush detyron bizneset të falimentojnë?


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Në Kosovë, vetëm gjatë këtij viti kanë falimentuar 714 biznese private, ndërsa janë regjistruar 6 mijë e 960 biznese. Sipas autoriteteve kompetente, arsyeja e shuarjes së bizneseve, është vullnetare.

Por, njohës të çështjeve ekonomike konsiderojnë se numri i bizneseve të shuara është më i madh, por për shkak të procedurave të tepërta, për shuarjen e tyre, pronarët hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë.

Naser Graiçevci, ekspert i ekonomisë, njëherazi ish drejtor në agjencinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, që funksionin në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, thotë arsyet janë të shumta.

Ai, prej se nuk punon në institucionet shtetërore, thotë se i vëren elementet negative që pengojnë zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Sipas tij, disa pengesa në këtë fushë fillojnë që nga Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës. Për të funksionuar një biznes, thotë ai, duhet gjithsesi të kenë lidhje më inspektorët e këtyre institucioneve.

Një ndërmarrje, për të prosperuar, duhet të këtë një inspektor ‘të njohur’ në Administratën Tatimore dhe doganat, nëse nuk dëshiron të dënohet. Dhe, automatikisht kjo ndikon në krijimin e një konkurrencë jolegale. Do të thotë, të gjitha pikave prej doganës, ATK-së, janë procedura të stërzgjatura, që unë mendoj se inspektorët i bëjnë në krye në vete, por prapë përgjegjësia bie mbi ata që udhëheqin këto institucione. Sepse duhet të ketë sistem të monitorimit dhe kontrollimit”, deklaron Graiçevci për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, ai përmend edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në shuarjen e bizneseve në Kosovë.

Faktorët janë të shumtë, ndikimet e krizës globale ekonomike që po vijnë te ne, politikat jo të favorshme financiare, procedurat e tepërta edhe më tutje, përkundër që thuhet se është bërë eliminimi i disa lejeve dhe licencave. De fakto niveli lokal ka zgjedhur format tjera, me të cilat ngarkon biznesin me këto çështje dhe në përgjithësi ky është ai ambienti që bizneset, falë gjeturisë së tyre mbijetojnë, jo nga fakti që është krijuar një ambient prosperues apo ambient që nxitë zhvillimin ekonomik”, thekson Graiçevci

Naim Gashi, konsideron se shuarja e bizneseve paraqet sinjal jo të mirë për përmirësimin ekonomik të Kosovës.

Klima e bizneseve në Kosovë nuk është e favorshme për t’u rritur numri i bizneseve, për t’u zgjeruar dhe zhvilluar, pasi që trendi i zhvillimit ekonomik në përgjithësi ka shënuar një ngadalësim të zhvillimit ekonomik gjatë këtij viti, dhe këto janë pasoja anësore të cilat reflektojnë edhe përmes shuarjes së bizneseve”, shprehet Gashi.

Gashi, ndërkaq vlerëson se sektori privat në Kosovë duhet të jetë promotor i zhvillimit ekonomik, kështu që ky sektori kërkon vëmendje të shtuar nga autoritet kompetente.

Ai thotë se sektori privat në Kosovë është i interesuar prej vendimmarrësve vetëm nga këndvështrimi i vjellës se taksave të tyre, ndërsa nuk ka ndonjë politikë fiskale favorizuese karshi tyre.

Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, në çdo vend në tranzicion, siç është Kosova, kanë gjeneruar vende pune, kanë gjeneruar zhvillim. Prandaj, fokusi dhe krijimi i privilegjeve ndaj tyre, lehtësirave të ndryshme, përmes kamatave, politikave fiskale, do të ishte një injeksion shumë i mirëpritur për zhvillimin ekonomik të vendit”, thotë Gashi.

Sidoqoftë, sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, prej vitit 2000 e deri më tani, janë regjistruar gjithsej 117.153 biznese private.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG