Ndërlidhjet

Albright në Prishtinë për samitin “Partneriteti për ndryshim - fuqizimi i gruas”


Madeleine Albright - Ish sekretare amerikane e shtetit
Madeleine Albright - Ish sekretare amerikane e shtetit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka konfirmuar pjesëmarrjen e ish sekretares amerikane, Madeleine Albright, në Samitin Ndërkombëtar të Gruas, me temën: “Partneriteti për ndryshim - fuqizimi i gruas”, që organizohet në Prishtinë nga data 4 deri më 6 tetor. Konferenca organizohet nga Presidentja Jahjaga, me mbështetjen e USAID-it dhe NDI-së.

Samiti do të hapet më 4 tetor 2012 me pjesëmarrjen e sekretares Albright dhe adresimin e saj për rëndësinë e gruas si faktor kyç në zhvillimin e një shteti.

“Përmes këtij samiti synohet avancimi i çështjeve gjinore në të gjitha fushat e jetës, përtej kufijve, dallimeve etnike, racore apo fetare”, tha me këtë rast, Jahjaga.

“Kosova dhe kryeqyteti i saj, në këto ditë gjatë mbajtjes së këtij Samiti, do të shndërrohet në kryeqendrën botërore ku do të diskutohet progresi dhe ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në vendin tonë sa i përket fuqizimit të gruas, të gjitha ato reforma dhe mekanizma që janë krijuar deri tash për fuqizimin e rolit të gruas dhe që të identifikohen rekomandimet që hyjnë në punë për Kosovën, për vendet e rajonit, por edhe për vendet e tjera të botës, që në njëfarë mënyre i kanë sfidat e njëjta, siç i kemi ne në Kosovë dhe në rajon”, ka vlerësuar presidentja Jahjaga.

Ajo gjithashtu tha se në këtë samit do të jenë të pranishëm rreth 200 pjesëmarrës nga Kosova, Rajoni, Evropa, Lindja e Mesme, Azia dhe Amerika, përkatësisht 100 pjesëmarrës vendorë dhe 100 nga rajoni dhe bota.

Gjatë samitit do të adresohen të gjithë ata faktorë që ndikojnë në avancimin dhe në fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, fuqizimin ekonomik të grave, me përfaqësimin politik dhe rolin e gruas në vendimmarrje, si dhe të drejtën e pronës dhe qasja e gruas në burime.
XS
SM
MD
LG