Ndërlidhjet

S’ka demokraci pa gruan


Atifete Jahjaga dhe Madeleine Albright
Atifete Jahjaga dhe Madeleine Albright
Nuk mund të ketë demokraci të mirëfilltë në asnjë shtet pa përfshirjen e gruas në vendimmarrje. Ishte ky emërues i përbashkët i fjalimeve që mbajtën disa nga gratë lidere në Ballkan dhe ato që dikur kishin një rol të fuqishëm në politikat botërore në samitin ndërkombëtar të gruas “Partneriteti për ndryshim-fuqizimi i gruas”.

Pjesëmarrëse e samitit të organizuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ishte edhe ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright.

Albright theksoi rëndësinë për heqjen e barrierave për pjesëmarrjen e gruas në politikë, ekonomi dhe në shoqëri dhe tha se është e rëndësishme që femrat të trajtohen në mënyrë të barabartë në secilin shtet.

“Është jetike që femrat, të cilat ngrihen, njëherë t’i ndihmojnë femrat e tjera për të bërë përparim. Në këtë mënyrë mund të jemi të sigurt se do të hapen mundësitë dhe që parimi i barazisë të përfshihet në ligjet e çdo shteti”, u shpreh Madeleine Albright, e cila si sekretare e atëhershme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës qe pozicionuar më 1999-n në Rambouillet në mbështetje të ndërhyrjes ushtarake në Kosovë.

Bisedimet mbi 100-orëshe që kishin çuar në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe roli i Shteteve të Bashkuara në këtë proces ia hapën rrugën largimit të forcave serbe nga Kosova, por nuk ishin bisedimet e fundit me Beogradin zyrtar.

Që nga paslufta e deri në vitin 2008 Kosova disa herë u ballafaqua me Serbinë në një varg negociatash.

Në shkurt të 2008-ës Kosova shpalli shtetësinë mbi planin e të dërguarit special për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari, ndërsa më 10 shtator të këtij viti u përmbyll zyrtarisht mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësinë.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hilary Clinton, e cila iu drejtua pjesëmarrësve të konferencës përmes një video-linku, tha se me përmbylljen e pavarësisë ndërkombëtare, është shënuar një hap i rëndësishëm përpara në historinë e Kosovës.

Clinton ritheksoi mbështetjen amerikane për Kosovën.

“Që nga pavarësia ju keni punuar fuqishëm në ndërtimin e një shteti modern, multi-etnik dhe demokratik. Shtetet e Bashkuara do të mbesin një partner dhe mik i fuqishëm kur tani keni para vetes shumë sfida”, tha ajo për të shtuar rëndësinë për fuqizimin e rolit të gruas edhe në shoqërinë kosovare.

Që të ndodhë kjo, sipas presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, do të jetë i domosdoshëm zbatimi adekuat i legjislacionit në shumë fusha.

“Për të gjitha këto çështja na duhet më shumë legjislacion, praktikat më të mira dhe një zbatim më të mirë. Por, mbi të gjitha, ne kemi nevojë për krijimin e një mase kritike për një transformim kulturor. Ne kemi nevojë për një platformë dhe përkushtim të përbashkët për t’i realizuar këto reforma në shoqëri”, theksoi a Jahjaga.
XS
SM
MD
LG