Ndërlidhjet

Clinton: Gratë janë agjente të ndryshimeve dhe bartëse të paqes


Hillary Clinton - Sekretare amerikan e shtetit (foto nga arkivi)
Hillary Clinton - Sekretare amerikan e shtetit (foto nga arkivi)
Përmes një videolinku, sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton ka mbajtur fjalimin e saj para grave pjesëmarrëse në Samitn Ndërkombëtar të Gruas në Prishtinë, që mbahet nga 4 deri më 6 tetor në Prishtinë.

Pas fjalimit të presidentes Jahjaga, menjëherë u transmetua edhe fjalimi i sekretares Clinton, e cila fillimisht përgëzoi presidenten e Kosovës për organizimin e këtij samiti, duke e quajtur atë lidere të natyrshme në çështjet e fuqizimit të gruas.

Më tutje Clinton i ka përgëzuar qytetarët e Kosovës për përmbylljen e procesit të pavarësisë së mbikqyrur, që sipas saj, është një arritje e madhe në procesin e shtetndërtimit.

Ajo ka përmendur edhe një herë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përkrahjen e Kosovës në të gjitha fushat.

Sipas Clinton, investimi në barazi gjinore është një investim i mençur, ndërsa gratë janë agjente të ndryshimeve dhe bartëse të paqes.

“Gratë në rajon ndërtojnë partneritete përtej linjave etnike dhe fetare. Ju mund ta ndryshoni diskursin e historisë”, ka thënë Clinton.

Në fund, sekretarja amerikane e shtetit ka thënë se ky samit do të shërbejë në fuqizimin e partneriteteve të tilla dhe se përkushtimi i të gjitha grave u ndihmon të gjithëve në krijimin e një të ardhme më të mirë.
XS
SM
MD
LG