Ndërlidhjet

logo-print

Kosova ngushëllon SHBA-të për humbjen e Larry Rossinit


Larry Rossin

Larry Rossin

Pas një sëmundjeje të rëndë, të shtunën më 6 tetor, ka ndërruar jetë shefi i parë i Zyrës Amerikane në Kosovë, Larry Rossin. Diplomati amerikan ka qenë i angazhuar edhe në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

Rossin ka punuar në NATO dhe ka mbajtur poste të ndryshme edhe në Departamentin amerikan të Shtetit.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nëpërmjet një telegrami ka ngushëlluar presidentin amerikan, Barack Obama, duke thënë se mes tjerash se “qytetarët e Kosovës do ta kujtojnë përherë rolin që ai luajti në dhënien e shpresës dhe për entuziazmin dhe optimizmin që e tregoi për shtetndërtimin e Kosovës, suksesit tonë të përbashkët”.

Telegrame ngushëllimi ka dërguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

Ministri Enver Hoxhaj, në telegramin dërguar sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton, ka vlerësuar lart “figurën e diplomatit të shquar Rossin, i cili gjatë jetës dhe veprimtarisë së tij është shndërruar në një figurë të shquar të përpjekjeve të diplomacisë amerikane për triumfin e vlerave të lirisë dhe demokracisë në botë, e veçmas në rajonin tonë”.
XS
SM
MD
LG