Ndërlidhjet

Komiteti i Helsinkit: Cenohen të drejtat e njeriut


Pamje në Shkup
Pamje në Shkup

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në raportin e fundit vlerëson se Maqedonia, si shtet, po shndërrohet heshtazi në shtet policor, proces që, sipas kësaj organizate, ka filluar në vitin 2006 përmes Ligjit të Policisë.

Në raport, gjithashtu, apostrofohet edhe zgjidhja ligjore që i mundëson policisë të mund të incizojë dhe të fotografojë qytetarët në vende publike dhe materialin e mbledhur ta shfrytëzojë për qëllime të veta.

Margarita Caca Nikollova, drejtore e bordit të Komitetit të Helsinkit thekson se partitë politike, përmes influencës që kanë në institucionet shtetërore, kanë vënë në shënjestër veprimtarinë e sektorit civil.

“Qeveria nuk mund t`i ikë gjendjes reale në vend, mundet për një kohë të caktuar të tentojë t’i mbajë të fshehura problemet e caktuara, me të cilat ballafaqohen qytetarët, por faktet do të dalin në pah. Do theksuar se sektori civil në periudhën e ardhshme do të ketë një rol edhe më dominues konform trendëve të vendeve të zhvilluara demokratike, sepse problemet në Maqedoni janë në masë që më nuk mund të kamuflohen”, thekson Caca Nikollovska anëtare e bordit të Komitetit të Helsinkit në Shkup.

Në raportin e tremujorit të Komitetit të Helsinkit, gjithashtu, apostrofohet sistemi gjyqësor, i cili edhe më tej mbetet i influencuar nga politika.

Osman Kadriu, njohës i çështjeve juridike, thotë se mozbatimi i ligjeve është problem që u hap derën problemeve tjera.

“Janë të shumta faktet, rrethanat, faktorët që ndikojnë në një dukuri të këtillë. Në sistemin gjyqësor mungon efikasiteti. Shkelet akoma parimi, i cili mbrohet edhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut edhe atë e drejta e qytetarit për gjykim në afat të arsyeshëm, ky parim në mënyrë flagrante shkelet. Problem tjetër paraqet përzierja e dy pushteteve tjera në pushtetin gjyqësor, me theks të veçantë ai ekzekutiv”.

“Mbase ekzistojnë raste konkrete edhe në lëminë penale, edhe në atë civile kur vendimet janë sjellë me diktat të politikës. Dhe, si çështje të tretë do të kisha përmendur devijimet që kemi në shoqëri siç është korrupsioni, keqpërdorimi i pozitës, si dhe mosushtrimi i kompetencave konform ligjeve”
, vlerëson Kadriu.

Në raportin e fundit të Komitetit të Helsinkit, gjithashtu, theksohet se shumica e ligjeve të miratuara në Parlamentin e Maqedonisë, janë në funksion të rritjes së kompetencave të organeve të policisë, ndërkohë që pamundësojnë të drejtat dhe liritë e njeriut.
XS
SM
MD
LG