Ndërlidhjet

logo-print

KDI dënon dhunimin e Kuvendit të Kosovës


Parlamenti i Kosovës

Parlamenti i Kosovës

Instituti Demokratik i Kosovës njofton se është duke i përcjellë më vëmendje të shtuar ngjarjet e fundit në Institucionet e shtetit, veçanërisht në Kuvendin e Kosovës.

Sipas KDI-së, rrethimi i Kuvendit me njësitë policore para fillimit të Seancës Plenare të ditës së sotme, si dhe prania e njësiteve të policisë brenda ambienteve të Kuvendit, është kundërkushtetutese dhe kundërligjore, si dhe cenon mbarëvajtjen e punës së institucioneve demokratike në vend.

“Prania e njësiteve policore brenda Kuvendit njëherësh jep mesazhe se demokracia në Kosovë është e rrezikuar dhe krijon imazhin e tendencave për instalimin e diktatit mbi institucionet legale të shtetit, siç është organi më i lartë në vend, Kuvendi i Kosovës”, thuhet në një komunikatë për shtyp të KDI-së.

KDI më tutje vlerëson se ky veprim i organeve të rendit është në kundërshtim me Ligjin mbi Policinë. Ata citojnë Nenin 8.2, ku thuhet se “me kërkesë të institucioneve të qeverisjes qendrore ose lokale, policia është e autorizuar t’ju ofrojë ndihmë në kryerjen e detyrave publike, kur ka arsye për të besuar se siguria e personit ose e personave që kryejnë detyra publike mund të rrezikohet për shkak të rezistimit të mundshëm ndaj veprimeve të tyre”.

Sipas KDI-së, fjalimi i kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi e dëshmoi se një ndihmë të tillë Kryesia e Kuvendit, përkatësisht Kryetari nuk e kishte kërkuar dhe madje as që kishte ndonjë informatë kredibile se mund të cenohet siguria e personave që kryejnë detyra publike.

“Duke pasë parasysh të gjitha këto shkelje dhe me qëllim që të ruhet integriteti dhe pavarësia institucionale e bazuar në parimet e ndarjes së pushteteve, KDI vlerëson se kryeministri i vendit, në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore që i ka, duhet t’i thërrasë vartësit e tij kompetent në përgjegjësi politike dhe ligjore ndaj ndërhyrjes dhe cenimit të integritetit të Kuvendit të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Institutit Demokratik të Kosovës.
XS
SM
MD
LG