Ndërlidhjet

Takohen Thaçi dhe Daçiq


Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq
Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq
Në Bruksel është zhvilluar të premten takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, homologut të tij serb, Ivica Daçiq, dhe shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, e cilësoi të mirë dhe konstruktiv takimin që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atë serb, Ivica Daçiq.

Në një komunikatë për media që dërgoi zyra për informim e baroneshës Ashton, diplomatja britanike paralajmëroi takimin e radhës me krerët e qeverive të të dyja palëve që, sipas saj, do të ndodhë së shpejti.

Kam takuar sot në Bruksel kryeministrin, Ivica Daçiq dhe kryeministrin, Hashim Thaçi, me qëllim vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja".

"Takimi i sotëm vjen pas takimeve që zhvillova në New York me presidentin Nikolliq dhe kryeministrin Thaçi. Pas takimeve të ndara me ta, udhëhoqa një takim të përbashkët në zyrën time, i cili u mbajt në një atmosferë të mirë dhe konstruktive".

"Ne u pajtuam që ta vazhdojmë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, ndërsa të dytë u zotuan për bashkëpunim. Do të takohemi prapë së shpejti".

"Besoj se dialogu është në interesin e të dyja palëve. Qëllimi i tij është të përmirësohet jeta e njerëzve dhe të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve e, duke e bërë këtë, ta sjell Serbinë e Kosovën më afër Bashkimit Evropian”,
thuhet në deklaratën e lëshuar në emër të zonjës Ashton.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës ka thënë se ky është fillimi i normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy shtete sovrane.

“Është biseduar për vazhdimin e dialogut, për zbatimin e marrëvshjeve të deritashme si dhe për normalizimin e raporteve mes dy vendeve”, ka thënë para gazetarëve kryeminsitri Thaçi, për të shtuar se Serbia e ka marrë porosinë e qartë edhe në dokumentet e BE-së ku është përmendur detyrimi i Serbisë për të respeketuar integritetin territorial të Kosovës.

Thaçi ka thënë se do të punojë në interes të qytetaërve të Kosovës dhe në dialog do të jetë transparent para institucioneve dhe qytetarëve.

I pyetur se si e ka ndjerë veten persosnalisht që të takohet me Daçiqin, duke marrë parasysh se ai ka qenë i afërt me dikattroin Sllobodan Millosheviq gjatë luftës në Kosovës, kryeministri kosovar ka thënë se “askush nuk mund ta ndryshojë historinë dhe se Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë”.

“Por, ne do punojmë për të ardhmen e Kosovës dhe të ardhmen evropiane të rajonit
”, ka thënë Thaçi në Bruksel.

Takimi i së premtes pason miratimin e një dite më parë të rezolutës nga ana e Kuvendit të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në të njejtën ditë, edhe Qeveria në Beograd ka marrë vendim zyrtar të vazhdojë bisedimet me Prishtinën, pa e njohur "pavarësinë e Kosovës”.


Presidenca e Kosovës mirëpret takimin

Reagimi i parë për takimin e së premtes erdhi nga Presidenca e Republikës së Kosovës.

Atifete Jahjaga
Atifete Jahjaga
Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, ka thënë se "është shumë mirë që janë takuar kryeministrat e Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë në nivel të barabartë”.

“Ky shënon një hap përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona dhe një rrugë përpara në arritjen e marrëveshjeve për një të ardhme më të mirë për vendet tona, që kanë pasur një të kaluar të vështirë”, ka thënë Vllahiu.

Ai po ashtu e ka cilësuar takimin si “një hap para në vendosjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon".

"Fqinjësia e mirë është një prej kritereve në rrugën e integrimeve evropiane”, ka thënë Vllahiu.


Reagon opozita

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq, nën praninë e shefes për Politikë të Jashtme të BE-së, Catherine Ashton.

“Sot, në Bruksel, ndodhi takimi i mezipritur mes kryeministrit Thaçi dhe Daçiqit, trashëgimtarit politik të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Ky takim u realizua vetëm 24 orë pas miratimit të rezolutës së turpshme të PDK-së dhe AAK-së, së cilës iu bashkua edhe LDK-ja, për bisedime me Serbinë pa kurrfarë kushtesh”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Sipas Vetëvendosjes, kjo rezolutë shpreh “gatishmërinë e paskrupullt të Qeverisë Thaçi për çfarëdo takimi me Daçiqin e Nikolliqin, pavarësisht së kaluarës shekullore kriminale të Serbisë dhe pavarësisht përpjekjeve konkrete të Serbisë për shkatërrimin e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës përmes financimit dhe urdhërimit të strukturave të saj kriminale brenda shtetit tonë”.

Qëndrimi i Serbisë ndaj takimit

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se takimi i radhës me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, do të mbahet në muajin nëntor, kur edhe Serbia të ketë përgatitur platformën e saj për bisedime.

Ai ka deklaruar për mediat serbe se temë e takimit të sotëm ka qenë “marrëveshja për dialog”.

Qëllimi i takimit në Bruksel ka qenë të shihet nëse ka dëshirë për dialog”, ka thënë Daçiq, duke shtuar se Serbia “nuk ndryshon pozicionin e saj për qasje neutrale ndaj statusit të Kosovës.

“Mendoj se është koha për marrëveshje historike, ndërsa jemi të gatshëm edhe për bisedime rreth statusit final”, ka thënë Daçiq.

“I kam thënë Thaçit se Kosova, aq sa është e tija, është edhe e imja, sepse unë jam lindur në Kosovë”, ka shtuar Daçiq.

Kryeministri i Serbisë po ashtu ka thënë se “ka takuar njeriun, i cili në një raport të Këshillit të Evropës, dyshohet se ka tregtuar organet e serbëve në Kosovë”, por që si kryeministër “duhet të marrë pjesë në dialog”.
XS
SM
MD
LG