Ndërlidhjet

Dialogu, fillim i mirë me një fund të panjohur


Flamuri i BE-së
Flamuri i BE-së
Kosova dhe Serbia u pajtuan paralelisht të enjtën për vazhdimin e dialogut ndërmjet vete me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Miratimi i rezolutës për këtë çështje në Kuvendin e Kosovës dhe vendimi i qeverisë serbe për vazhdimin e bisedimeve me Prishtinën pasoi me njoftimin e zyrës së shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, se të premtën ajo do të takohet me kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi, dhe atë serb, Ivica Daçiq.

Njohësit e rrethanave politike në Prishtinë e Beograd vlerësojnë se pavarësisht “koordinimit” të palëve para hapjes së një kapitulli politik të bisedimeve, qëndrimet e tyre kanë mbetur të njëjta.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, thotë se konfirmimi që Kosova e Serbisë ia bënë vazhdimit të dialogut vetëm se ka dëshmuar interesimin e të dyja vendeve për avancim në integrimin evropian.

Hoti thotë se detajet mbi procesin e ardhshëm do të konkretizohen pas disa javëve apo muajve, ndërsa shpreh bindjen që Serbia do të vihet para situatës për ta pranuar realitetin e ri në Kosovë.

Mendoj që çështjet do të detajizohen në ditët, javët dhe muajt në vijim dhe në fund të fundit mendoj se Serbia do të ballafaqohet me çështjen e njohjes-respektivisht me realitetin e ri të krijuar me shtetin e Kosovës”, thotë Hoti.

Rezoluta e aprovuar një ditë më parë në legjislativin e vendit parasheh, ndër tjera, që “dialogu dhe rezultatet e tij duhet të jenë në pajtim me sovranitetin e Kosovës, subjektivitetin ndërkombëtar, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm - rendin unik kushtetues të Kosovës”

Kushtet që deri më tani janë përmendur në skenën politike serbe lidhur me vazhdimin e bisedimeve me Kosovën, ndër të tjera, flasin për nevojën e karakterit neutral ndaj statusit të Kosovës të këtij procesi dhe respektimin e Kushtetutës së Serbisë.

Por, drejtorja e Qendrës për Politikë të Jashtme në Serbi, Aleksandra Joksimoviq, thekson se kriteret dhe rrethanat e dialogut nuk i përcakton Serbia por Bashkimi Evropian.

Joksimoviq e quan indikative deklaratën e Daçiqit për bisedimet me palën kosovare.

Në formulimin e tij shoh mundësinë për vazhdimin e dialogut të deritashëm e në anën tjetër për negociata, gjatë të cilave do të diskutohej për çështje të hapura. Por, ajo që është e qartë është se në këtë moment është e pamundshme të bisedohet për çështjet siç është ndarja. Sot, Kosova vjen në Bruksel me një pozitë favorshme meqë ka miratuar një rezolutë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërsa Serbia duhet të pajtohet me vazhdimin e dialogut dhe me insistimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve”, u shpreh ajo.

Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar që nga marsi i vitit të kaluar një dialog për çështje “teknike” që rezultoi me shtatë marrëveshje brenda nëntë raundeve të takimeve ndërmjet palëve.

Ndonëse nuk është pranuar zyrtarisht nga asnjëra palë e përfshirë në proces, temë kryesore e bisedimeve politike pritet të jetë çështja e veriut të Kosovës.
XS
SM
MD
LG