Ndërlidhjet

Fakti se në Kosovë shumë të rinj përdorin substanca narkotike, mbetet shqetësues. Në studimet e bëra nga organizata ndërkombëtare dhe vendore, rreth përdorimit të substancave narkotike, del se të rinjtë nga mosha 16-vjeçare fillojnë të konsumojnë duhanin, alkoolin; rreth 4 për qind kanë provuar kanabisin, barin, hashashin, marihuanën; 0.4 për qind kanë provuar heroinën.

Kjo problematikë është ngritur edhe në Kuvendin e Kosovës.

Por, çka thonë të rinjtë lidhur me përdorimin e substancave narkotike, dhe sa e kanë të lehtë arritjen deri te to, flasin në rubrikën tonë të përjavshme VOX.



Vjosa, 25-vjeçare, thotë për Radion Evropa e Lirë, se sa i përket drogave, e di se përdoret shumë nga të rinjtë.

“Kam njohuri për drogën, por jo edhe të rinjtë tjerë në vendet tjera më të zhvilluara se Kosova. Mendoj se droga po përdoret shumë prej të rinjve në Kosovë dhe mendoj se drogat e lehta mund t’i gjesh kudo si nëpër shkolla, lagje. Mendoj se institucionet duhet të bëjnë më shume për ta ndalur këtë fenomen të keq”, shprehet Vjosa.

Ndërkaq, Bekim Krasniqi, thotë se nuk ka provuar asnjëherë ndonjë substancë narkotike, meqë ka pasur rastin ta shohë për së afërmi një person, i cili ka përdorur substanca narkotike dhe i di pasojat.

“Unë kam njohuri, duke u bazuar nëpër mediume të ndryshme. Kohët e fundit ka filluar të përhapet në rininë tonë. Unë kam pasur rastin ta njoh për së afërmi një person që ka përdorur drogë, thjesht për kuriozitet, por që i ka kushtuar me pasoja shumë të mëdha”.

“Familja është detyruar ta shesë gjithë pasurinë për shërimin e tij, e kanë dërguar në Rusi për t’ia ndërruar gjakun, por pa sukses. Mendoj se droga është e përhapur më së shumti nëpër lokale të natës, diskoteka. Është mirë të merret preventivë që të ndalohet droga”, tregon Bekimi.

Kosova edhe nga autoritetet ndërkombëtare, në raporte të ndryshme është identifikuar si vend transit i drogës, por edhe vend ku kultivohen substancat narkotike.

Albana, nxënëse e shkollës së mesme, mendon se prej pas luftës së fundit në Kosovë, është rritur numri i përdoruesve të drogave:

“Mendoj se prej pasluftës është rritur shumë numri i personave që përdorin substanca narkotike”.

Derisa Marigona Bala, nxënëse e shkollës së mesme, thotë se pavarësisht asaj se substancat narkotike gjenden nëpër vende të caktuara, madje droga ka depërtuar edhe brenda shkollave.

“Unë mendoj se sot droga është bërë trend. Mendoj se të rinjtë e përdorin shumë, dhe mund ta gjesh në kafeteri, diskoteka, e besa edhe nëpër shkolla”, thotë Marigona.

Njëzetetrevjeçarja nga Prishtina, Blerta, thotë se arritja deri te substancat narkotike është shumë e lehtë:

“Mendoj që droga është problem shumë shqetësues sot. Duke filluar nga fakti që edhe në shkolla nxënësit përdorin drogë, e mos të flasin për kafeteri, që janë të caktuara dhe të gjithë e dinë ku janë ato vende dhe dilerët që sillen lirshëm. E, sidomos drogat e lehta që mund t’i gjesh shumë lehtë, e që po përdoren shumë”.

Por, kohëve të fundit në treg po hyjnë lloje të reja të drogave, të cilat sipas zyrtarëve shëndetësorë, janë me rrezikshmëri të lartë.

Substanca narkotike më e re në treg, e quajtur GHB (Hydroxybutyric acid), po përdoret nga të rinjtë në masë të madhe. Këtë e thotë një qytetare nga Prishtina, 22 vjeçare, derisa shpjegon disa karakteristika, të cilat kanë të bëjnë me këtë lloj substance:

“GHB, droga më e re që ka ardhur në Prishtinë, është drogë shumë e konsumuar prej të rinjve. Konsiderohet si drogë e rrezikshme. Përpos konsumuesit, ajo i bën dëm edhe shoqërisë meqë konsumuesi mund ta dhunojë, vjedhë, apo edhe rrezikojë në mënyra tjera personin e dytë. Njihet si drogë e dhunimeve. Dhe, është drogë shumë e përhapur, fatkeqësisht”.

Qeveria e Kosovës, së fundmi, ka miratuar një strategji për periudhën kohore 2012-2017, në kuadër të drogave, luftimit të krimit të organizuar, terrorizmit dhe ruajtjes dhe kontrollit të kufirit shtetëror.

Sipas zyrtarëve të lartë qeveritarë, përmes kësaj strategjie, autoritetet vendore synojnë të reduktojnë përdorimin e drogave dhe dëmet që sjell me vete kjo dukuri.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG