Ndërlidhjet

Zbutje e politikës serbe ndaj Kosovës apo lojë politike?


Flamuri i Serbisë dhe flamuri i Kosovës.
Flamuri i Serbisë dhe flamuri i Kosovës.
Përmbajtjet e deklaratave të zyrtarëve të lartë të shtetit të Serbisë, lidhur me Kosovën, janë krejtësisht ndryshe pas zgjedhjeve në këtë vend, nga ato që kanë qenë para zgjedhjeve, vlerësojnë njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike në vend, si dhe politikanët serbë të Kosovës.

Në korrik të këtij viti, kryetari serb Tomisllav Nikolliq, pati deklaruar se “nuk do të jetë kurrë president në Prishtinë”.

Ndërkaq, kryeministri serb, Ivica Daçiq, tash së fundit, duke folur për rrezikun që “Serbia mund ta humbë Kosovën”, ka deklaruar se serbët mund të sillen “si Greqia dhe të thonë se Konstandinopoja është kryeqytet grek, por ajo më nuk është”.

Por, a paraqesin deklaratat e zyrtarëve të lartë serbë fillimin e ndryshimit të qasjes së politikës serbe ndaj Kosovës apo ndonjë lojë politike?

Politologu Behlul Beqaj vlerëson se të gjitha veprimet e zyrtarëve të lartë serbë, pas zgjedhjeve në Serbi, janë krejtësisht ndryshe nga ato që kishin thënë ata para zgjedhjeve. Sipas tij, ata para zgjedhjeve kishin deklaruar se nuk do ta vazhdojnë dialogun me Kosovën dhe nuk do t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura me të, por po ndodh e kundërta.

“Fill pas marrjes së pushtetit, dialogun dhe marrëveshjet i trajtojnë si çështje të interesit madhor, nacional dhe shtetëror. Pra, kjo që po ndodh është vetëm një hap tjetër drejt pragmatizmit politik dhe ballafaqimit me realitetin”.

“Në këtë kuptim, ky ndryshim është pozitiv dhe besoj se ai duhet të përfundojë në mënyrë definitive me njohjen e pavarësisë së Kosovës, që nevojitet edhe një kohë relativisht e gjatë për t’u kryer procesi, si dhe për t’u përmbyllur procesi në raport me Serbinë”,
vlerëson Beqaj.

Por, politikanja serbe nga Graçanica, Rada Trajkoviq, njëherësh edhe deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe, beson se deklaratat e zyrtarëve të lartë serbë, më shumë janë në funksion të faktorizimit të liderizmit të tyre në Beograd, se sa reflektim apo shprehje e politikës së Beogradit për heqje dorë nga Kosova.

“Ndoshta ata po përgatisin strategjinë, me të cilën dëshirojnë t’i ofrohen Bashkimit Evropian, por që të heqin dorë nga Kosova, mendoj se për këtë moment kjo do të ishte një deklaratë shumë e madhe. Thjesht, e parealizueshme. Unë nuk besoj se ata mendojnë në atë mënyrë. Mendoj se edhe Daçiqi, i cili ka një parti të vogël në krahasim me Partinë Përparimtare, po përpiqet që ta përforcojë vetveten si kryeministër, për shkak se as ai disi nuk e ka pozitën e sigurt”, thotë Trajkoviq.

Mendim të ngjashëm, lidhur me atë që zyrtarët e lartë serbë i kanë të rrezikuara pozicionet nga brenda, shpreh edhe politologu Beqaj.

“Ata (zyrtarët e lartë serbë) janë të rrezikuar brenda. Do të thotë, këtu po shihet që në raport me Kosovën dhe në raport me BE-në, objektivisht po bëhet vetëm një politikë e burokracisë apo e zyrave, për t’i argumentuar pikëpamjet dhe politikën e tyre dhe në anën tjetër, thjesht, për të mbajtur mundësinë që të mbeten në pushtet”.

“Kjo, ngase të dyja palët, në Kosovë dhe në Serbi, e kanë kuptuar se pushteti më shumë po varet nga qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare se sa që po varet nga qytetarët në Serbi, përkatësisht në Kosovë. Kjo është ajo që, si duket, është emëruesi i përbashkët i pushteteve në Ballkan”
, shprehet Beqaj.

Megjithatë, deputetja Rada Trajkoviq, shpreh mendimin se Serbia nuk do ta vazhdojë politikën e njëjtë, që ka pasur deri më tash ndaj Kosovës, por as nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Ajo vlerëson se ndarja e Kosovës nuk do të jetë temë e bisedimeve eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, sipas Trajkoviqit , temë e këtij dialogu gjithsesi do të jetë veriu i Kosovës, ku Beogradi duhet të marrë pjesë edhe për shkak të faktit se i financon disa institucione, si dhe është i akuzuar drejtpërdrejt për forcat e sigurisë atje.

“Pritjet e mia janë që tërësia territoriale e hapësirës së Kosovës të mos jetë fare temë në këto bisedime, përveç projektit që, në njëfarë mënyre, duhet ta demilitarizojë veriun e Kosovës, si dhe në një shkallë të caktuar ta integrojë atë”, përfundon Trajkoviq.
XS
SM
MD
LG