Ndërlidhjet

Kërkesat e parealizueshme të opozitës në Maqedoni


Mbështetësit e partisë më të madhe opozitare LSDM dhe partnerët e saj të koalicionit gjatë një tubimi anti-qeveritar në Shkup...
Mbështetësit e partisë më të madhe opozitare LSDM dhe partnerët e saj të koalicionit gjatë një tubimi anti-qeveritar në Shkup...
Lideri i opozitës maqedonase, Branko Cërvenkovski, para mijëra qytetarëve i është drejtuar kryeministrit Nikolla Gruevski, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, bashkë me ato vendore, që janë paraparë të mbahen marsin e ardhshëm. Ndërkohë, Cërvenkovski ka kërkuar që qytetarët njëkohësisht të përcaktohen në referendum për emrin, nëse, siç është shprehur ai, kryeministri Gruevski tashmë e ka shitur emrin në këmbim për caktimin e datës për bisedime me BE-në, në dhjetor.

Analistët politikë në këto kërkesa të opozitës maqedonase, nuk shohin asgjë të re.

Alajdin Demiri nga UEJL, në Tetovë, thotë se zgjedhjet e parakohshme, të cilat u shkonin për shtati partive që aktualisht janë pjesë e koalicionit qeveritar, u bllokuan nga ana e faktorit ndërkombëtar, andaj, sipas tij, është e paqartë se pse Cërvenkovski insiston “të luajë në letrën e djegur”.

“Është e çuditshme ajo se pse tani Cërvenkovski u kthehet temave, të cilat janë të absorbuara. Ishte euro-komisionari Shtefan Fyle, i cili qartë refuzoi idenë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme me pretekstin se kapacitetet politike, mbi të gjitha ato ekonomike të Maqedonisë, nuk premtojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme kaq shpesh, sepse është e papërballueshme për buxhetin e shtetit, thjesht Cërvenkovski nuk e kupton ose nuk dëshiron ta kuptojë këtë porosi”, shprehet Demiri.

Edhe analisti maqedonas, Vlladimir Bozhinovski, thotë se opozita mbrëmë nuk ka dalë me asgjë të re, asgjë konkrete që do të ngjallte shpresë për zgjidhjen e problemeve aktuale, me të cilat përballet Maqedonia, me bllokimin e procesit euro-integrues, ashtu dhe me gjendjen e rëndë ekonomike.

“Vetë shteti do të dukej joserioz, nëse në çdo kërkesë të opozitës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, do të përgjigjej pozitivisht”, shprehet Bozhinovski.

Sipas tij, çelësi i zgjedhjeve të parakohshme, mbetet në duart e shumicës parlamentare. Bozhinovski, duke komentuar prishjen e koalicionit mes PDSH-së, të udhëhequr nga Menduh Thaçi, dhe frontit opozitar maqedonas të kryesuar nga LSDM-ja për zgjedhjet vendore, si pasoj e mosmarrëveshjeve për kandidaturat për kryetar komune, në Strugë dhe Kërçovë, vlerëson se në Maqedoni akoma nuk janë pjekur kushtet për koalicione të këtij lloji.

“Për mua, prishja e këtij koalicioni nuk paraqet aspak befasi, sepse edhe ashtu bashkëpunimi ishte ndërtuar mbi parime të brishta, gjegjësisht partnerët nuk arritën të ndërtojnë platformë të përbashkët, thjesht nuk ka kapacitet në këtë format opozita të dalë si front serioz apo multietnik kundër Qeverisë aktuale”, thekson Bozhinovski.

Ndërkaq , duke komentuar kërkesën e LSDM-së që për ndryshimin e emrit qytetarët të prononcohen në referendum, qëndrim ky i VMRO DPMNE-së, analisti politik nga Tetova, Alajdin Demiri, konsideron se me këtë dëshmohet se edhe opozita nuk ka kapacitet dhe as vullnet për të zgjidhur realisht çështjen rreth kontestit të emrit që ka Maqedonia me Greqinë, me çka mund të zhbllokohej procesi integrimit të Maqedonisë.

“Çështja e emrit nuk mund të zgjidhet duke u shprehur në referendum me po ose jo. Por, ky kapacitet mund të zgjidhet me kapacitetin politik dhe kombëtar të LSDM-së. Thjesht, shtrohet pyetja a ka kapacitet lidhja Social-Demokrate të tejkalojë konceptin e Maqedonisë antike, gjegjësisht antikitetit? Me faktin që Cërvenkovski nuk ka guxim t`i çelë këto tema serioze, të cilat mund të sjellin deri te një solucion që do të çonte kah zgjidhja, atëherë ai merret me tema sekondare”, shprehet Demiri.
XS
SM
MD
LG