Ndërlidhjet

logo-print

Serwer: Serbia larg BE-së – një dekadë


Daniel Serwer

Daniel Serwer

Mesazhet e sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton, dhe të shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe vazhdimi i dialogut mes tyre nuk nënkuptojnë se Serbia duhet të njohë Kosovën, janë të pritshme, ka thënë profesori i studimeve ndërkombëtare në Universitetin Jones Hopkins, Daniel Serwer.

Clinton dhe Ashton i kanë bërë këto komente në Beograd.

“Mendoj se çështja e njohjes për kohë të gjatë nuk do të jetë në rend të ditës, andaj edhe nuk jam i habitur përse zyrtaret nuk kanë insistuar në një gjë të tillë”, ka thënë Serwer për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka kujtuar se shumë anëtarë të Bashkimit Evropian e kanë bërë të qartë se nuk do të ketë anëtarësim të plotë të Serbisë në BE nëse nuk ka normalizimi të plotë të marrëdhënieve diplomatike në mes të saj dhe Kosovës.

“Hyrja e Serbisë në Bashkimin Evropian është ndoshta një dekadë larg, në mos më shumë, andaj mendoj se është herët të shqetësohemi për të”, ka thënë Serwer.

Ai e ka vlerësuar lart mesazhin e zonjës Clinton se nuk do të ketë ndryshim të kufijve në Evropë.

“Edhe pse shumë në Beograd nuk duan ta dëgjojnë, ai padyshim është një mesazh i qartë dhe nuk duhet të injorohet”, ka thënë Serwer.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë disa herë se zgjidhja më e mirë dhe më reale është ndarja e Kosovës.

Clinton dhe Ashton kanë qëndruar në Beograd të martën, ku kanë takuar presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikolliq, dhe kryeministrin Daçiq.

Ato sot kanë vazhduar vizitën në Prishtinë, ku kanë përsëritur thirrjen për normalizim marrëdhëniesh Kosovë-Serbi.
XS
SM
MD
LG