Ndërlidhjet

Daçiq: Kemi zgjidhjen për problemin e Kosovës


Ivica Daçiq
Ivica Daçiq
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se qeveria e tij ka propozimin për zgjidhjen finale të problemit të Kosovës, megjithatë, është e gatshme që të bisedojë me Prishtinën.

“Kemi propozimin për zgjidhjen përfundimtare, por, nëse nuk mund të flasim për të, atëherë duhet parë se çka mund të flasim për përmirësimin e jetës së qytetarëve”, ka thënë Daçiq për Radio Televizionin e Serbisë, pak para raundit të ri të bisedimeve me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi në Bruksel.

Ai ka thënë se qeveria serbe është e gatshme, që ta zgjidhë problemin e Kosovës dhe se nuk dëshiron që atë t’ia lë brezit të ri. Ai ka theksuar se bisedimet do të zhvillohen pa kurrfarë presioni.

“Ne jemi të gatshëm që këtë çështje mos t’ua lëmë gjeneratave të ardhshme. Duhet ta zgjidhim problemin e tërësishëm të Kosovës. S’dua askënd ta gënjejë, dhe tash dihet saktësisht se çka mundemi e çka jo”, ka thënë Daçiq.

Ai ka thënë se nuk është e saktë se po mendohet për hapjen e ndonjë zyre të të dyja palëve, në Beograd dhe Prishtinë, por, po shqyrtohet mundësia e zyrtarëve për ndërlidhje, që do të merreshin me zbatimin më të mirë të traktatit.

“Asnjë zyrë nuk hapet, këtu bëhet fjalë për zyrtarët ndërlidhës, të ciëlt do të duhet të realizojnë atë për të cilën jemi dakorduar- d.m.th. asnjë zyrë nuk është në rend dite, dhe as nuk është pikë mbi të cilën do të bisedohet”, është shprehur Daçiq.
XS
SM
MD
LG