Ndërlidhjet

Thaçi njofton ambasadorët e Kuintit për takimin me Daçiqin


Thaçi, Ashton, Daçiq

Thaçi, Ashton, Daçiq

Duke folur rreth takimit të dytë të mbajtur në Bruksel me kryeministrin e Serbisë,Ivica Daçiq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka informuar ambasadorët e shteteve të Kuintit lidhur me temat që janë diskutuar në atë takim.

Një nga parakushtet për integrim, ka potencuar kryeministri Thaçi, është edhe forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësia e mirë, dhe në këtë kuadër hyn edhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie të veçantë.

Ai ka shtuar se si çështjen më prioritare të diskutimit e ka prezantuar çështjen e zbardhjes së fatit të të zhdukurve, që sipas Thaçit, është shumë e dhimbshme për të gjithë në Kosovë.

Zyra e Kryeministrit njofton se Thaçi gjithashtu ka prezantuar edhe temat e tjera të takimit, që kishin të bënin me zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, hapjen e Zyrave Ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd, masat shtesë për mbrojtjen e trashëgimisë së kishave dhe manastireve në Kosovë, zhbërjen e strukturave paralele ilegale serbe në Kosovë, si dhe bashkëpunimi ndërshtetëror në infrastrukturën rrugore, për vazhdimin e autostradës nga Vërmica në drejtim të Prishtinës, për në kufirin me Serbinë.

Nga ana tjetër, ambasadorët e shteteve të Kuintit kanë shprehur mbështetje të plotë për përkushtimin e kryeministrit Thaçi dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, njofton Zyra e Kryeministrisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG