Ndërlidhjet

Mustafa: Zgjidhje janë zgjedhjet nacionale


Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se nuk duhet të fajësohet Komisioni Evropian për shtyrjen e datës së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

“Ne vetë kemi ndërtuar një sektor publik mbi baza politike e të nepotizmit, të paaftë dhe joefikas për t’u ballafaquar me sfidat e shtet-ndërtimit. Punësimi në sektorin publik dhe sistemi i parregulluar i pagave, nga qeveria aktuale po shfrytëzohen për efekte elektorale dhe të fushatës”, ka thënë Mustafa në një konferencë për media, sot në Prishtinë.

Sipas tij, duhet të bëhet shumë më tepër për të përmbushur reformën e administratës publike, për të forcuar shtetin ligjor dhe për të bërë progres domethënës në liritë dhe të drejtat e njeriut.

Kreu i partisë më të madhe opozitare po ashtu ka thënë se presidentja Atifete Jahjaga, por edhe Partia Demokratike e Kosovës duhet t’i hapin rrugë përcaktimit për zgjedhje të drejtpërdrejtë të presidentit të shtetit dhe reformës së mirëfilltë kushtetuese e zgjedhore.

“Për LDK-në, zgjidhja e vetme e qeverisjes së mirë dhe të përgjegjshme të këtij vendi janë zgjedhjet nacionale, të drejta, fer dhe demokratike, nga të cilat do të buronte legjitimiteti qytetar për qeverisje të këtij vendi. Çdo kombinim tjetër, është konstruksion mbi vota të abuzuara dhe zgjedhje të dyshimta”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka thënë se ndërtimi i shtetit të Kosovës po tregon dështime në katër fusha themelore, përfshirë: zhvillimin ekonomik, politikat e arsimit, policinë dhe drejtësinë.
XS
SM
MD
LG