Ndërlidhjet

OKB apelon për qetësi në Luginën e Preshevës


Protestat që ka nxitur heqja e lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë.
Protestat që ka nxitur heqja e lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë.
Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për qetësi në Luginën e Preshevës, pas heqjes së lapidarit të Ushtirsë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nga ana e xhandarmërisë serbe.

“Kombet e Bashkuara përcjellin zhvillimin e situatës në Luginë dhe bëjnë thirrje për qetësi”, ka deklaruar Martin Nesirki, zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon.

“OKB-ja vazhdimisht ka theksuar nevojën e pajtimit ndërkombëtar dhe rajonal në Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar Nesirki.

Xhandarmëria serbe, me urdhër të Qeverisë ne Beograd, ka larguar të dielën lapidarin e ushtarëve të rënë të UÇPMB-së, i cili ndodhej para Kuvendit Komunal në Preshevë.

Një gjë e tillë ka nxitur protesta në këtë vend, por edhe reagimin e autoriteteve, si shqiptare ashtu edhe ndërkombëtare.

Lapidari u kushtohej shqiptarëve që luftuan për më shumë të drejta në Luginën e Preshevës. Konflikti ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare serbe ka marrë fund në maj të vitit 2001, me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar.

Autoritetet serbe e konsiderojnë UÇPMB-në si “organizatë terroriste”.
XS
SM
MD
LG