Ndërlidhjet

Papa dha dorëheqje befasuese


Papa Benedikti XVI jep dorëheqje
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:35 0:00

Papa Benedikti XVI jep dorëheqje

Papa Benedikti i 16-të ka shpallur sot se do të tërhiqet më 28 shkurt. Kjo është hera e parë në 600 vitet e fundit që Papa jep dorëheqje.

Ky vendim tash e shtron detyrën para Këshillit të Kardinalëve të Kishës Katolike që ta zgjedhë Papën e ri, para fillimit të muajit prill.

Papa Benedikti i 16-të, emri i të cilit është Joseph Ratcinger, në prill të këtij viti i mbush 86 vjet. Vendimin për dorëheqje e shpalli sot në mëngjes gjatë takimit me Kardinalët në Vatikan.

Ai theksoi se kryerja e detyrave të Papës, që është lider i më tepër se një miliard katolikëve në mbarë botën, kërkon “si fuqi të mendjes ashtu edhe të trupit”.

Papa ka theksuar:

Pasi në mënyrë të përsëritshme e kam ekzaminuar ndërgjegjen time para Zotit, kam ardhur te e vërteta se forcat e mia, për shkak të moshës së avancuar, më nuk janë adekuate për kryerjen e detyrës”.

Pastaj, Papa ka thënë se është i vetëdijshëm se shërbimi në Krye të Kishës Katolike, “për shkak të natyrës esenciale shpirtërore të saj”, duhet të kryhet jo vetëm me fjalë dhe veprime, por po ashtu, me lutje dhe bashkëndjenjë.

Papa konsideron se “në botën e sotme, me shumë ndryshime të shpejta dhe e tronditur nga pyetjet e rëndësisë së thellë për jetën dhe besimin”, lideri shpirtëror duhet ta ketë domosdoshmërisht forcën e mendjes dhe të trupit, që “në pak muajt e fundit, është përkeqësuar tek unë në masë që unë është dashur ta pranoj jokapacitetin tim që në mënyrë përkatëse” ta udhëheqë Kishën Katolike.

Papa theksoi se ka menduar gjatë për vendimin e tij, i cili, sipas tij, është për të mirën e Kishës.

Vëllai i Papës, Georg Ratzinger, ka deklaruar se ai po tërhiqet për shkaqe shëndetësore.

Mosha e tij e detyroi atë të tërhiqet”, tha Georg Ratzinger.

Papa Benedikti i 16-të e ka udhëhequr Kishën Katolike prej vitit 2005. Ka pasur thashetheme se ai mund të tërhiqet për shkaqe shëndetësore.

Për Papën është e pazakonshme që të tërhiqet, meqë kjo detyrë konsiderohet se zgjatë gjithë jetë derisa Papa të jetë gjallë.

Megjithatë, ky nuk është precedent. Papa i fundit, që ka dhënë dorëheqje ishte Papa Gregory i 12-të, i cili u tërhoq në vitin 1415.

Papa Benedikti i 16-të vlerësoi se vendimi i tij “është vendim shumë i rëndësishëm për jetën e kishës”.

Në procesin e zgjedhjes së Papës së ri, marrin pjesë të gjithë kardinalët nën moshën 80 vjeçare.

Zgjedhja bëhet brenda Vatikanit në një takim të fshehtë ku kardinalët votojnë për zgjedhjen e papës.

Sipas traditës, fletëvotimet digjen pas çdo votimi: nëse tymi nga oxhaku është i zi, kjo do të thotë se Papa nuk është zgjedhur. Por, nëse tymi nga oxhaku është i bardhë, kjo është shenjë se Papa i ri është zgjedhur.

Ligji i Kishës Katolike lejon që Papa të paraqesë dorëheqje; por specifikohet se dorëheqja duhet të jetë “e bërë lirisht dhe e manifestuar në mënyrë përkatëse”.

Papa Benedikti i 16-të, në vitin 2010, kur ishte intervistuar për Librin “Drita e Botës”, e kishte përmendur mundësinë e dorëheqjes, nëse ai do të ishte shumë i sëmurë dhe i vjetër.

Nëse Papa e sheh qartas se ai më nuk është i aftë fizikisht, mentalisht dhe shpirtërisht për kryerjen e detyrave të zyrës së tij, atëherë ai ka të drejtë, dhe nën disa rrethana, po ashtu edhe obligim, të paraqes dorëheqje”, pat thënë Papa Benedikti i 16-të.(f. b.)
XS
SM
MD
LG