Ndërlidhjet

Shala: Periudha transitore në veri, një ose dy vite


Blerim Shala
Blerim Shala

"Ne i kemi disa caqe, të cilat janë pak a shumë të njohura, jo vetëm për perëndimin, por besoj edhe për Beogradin", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, koordinatori i Prishtinës zyrtare në bisedimet politike Kosovë - Serbi.


RADIO EVROPA E LIRË
Ju si koordinator i bisedimeve politike Prishtinë-Beograd, a mund të na thoni si është paramenduar të zëvendësohen strukturat e tashme të sigurisë që Serbia ka në veri, deri në zgjedhjen e strukturave të reja?




BLERIM SHALA
Është një pyetje kapitale. Mendoj që si rëndom në proceset e tilla, fokusi momental është se si të arrihet marrëveshja, gjë që është normale. Por, realisht nëse kemi një perspektive afat-mesme, pos arritjes së marrëveshjes, duhet të shohim së bashku se si ta zbatojmë marrëveshjen dhe si të hyjmë në një tranzicion, i cili do të mundësojë një zëvendësim gradual, të natyrshëm, jo problematik të strukturave ekzistuese serbe të sigurisë me struktura të Kosovës të sigurisë.

Gjithsesi duke llogaritur edhe në një mbështetje të fuqishme të faktorit ndërkombëtar, para së gjithash të EULEX-it dhe KFOR-it.

Mendoj se është e domosdoshme të thuhet se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi, sepse ne mendojmë që ky duhet të jetë titulli i marrëveshjes, duhet të nënkuptojë data të sakta të zhbërjes të strukturave serbe të sigurisë, të largimit të të gjithë policëve serbë që nuk janë qytetarë të
Kosovës, të krijimit të një mekanizmi për rekrutimin, trajnimin e pjesëtarëve të ri të policisë së Kosovës nga nacionaliteti serb në veri.

Po ashtu ne e kemi bindjen, se nga ajo pjesë e Kosovës do të rekrutohen edhe ushtarë dhe oficerë të FSK-së, të AKI-së. Ju mund të thoni që momentalisht ky është iluzion, apo një shpresë ap synimi i yni, por shihni se çka ka ndodhur në pjesët tjera të Kosovës pas vitit 2008. Ju e dini që në vitin 2008, menjëherë pas bërjes së pavarësisë ne kemi pasur një largim masiv të serbëve nga policia e Kosovës, mirëpo pastaj bisedave që patëm, ata u kthyen dhe sot janë oficerë dhe shërbyes besnik të Republikës së Kosovës.

Por nëse i kthehemi edhe njëherë pyetjes suaj, ne mendojmë, por jo vetëm ne, për fatin tonë të madh, Gjermania veçmas dhe shtetet tjera të BE-së, që kriter për suksesin e bisedimeve politike në Bruksel, nuk duhet të jetë vetëm marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi, por edhe zbatimi i saj. Zbatimi duhet të nis në muajin prill, për t’u parë në dy muajt vijues, sa po jetësohet marrëveshja, sepse përndryshe nuk ka gjasa që ky proces të sjell deri te data për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Sepse Perëndimi, është ngopur me premtimet e shkelura të Serbisë, dhe marrëveshjet që nuk janë respektuar. Ju e dini që IBM-i është pranuar në shkurt të vitit të kaluar, kurse qeveria e Serbisë nuk ka bërë gjë prej gjëje, madje as që e ka nënshkruar ndonjëherë. Ju e dini mirë. Vetëm qeveria e re, e nënshkruajti dhe filloi zbatimi i marrëveshjes. Pra për një IBM-in është dashur gati 12 muaj që të zbatohet, dhe ky është një proces tej mase i ndërlikuar. Nganjëherë harrojmë që një marrëveshje e tillë, edhe nëse ka vullnet shumë të mirë, të të dyja palëve, kërkon një organizim gati të përsosur, për t’u jetësuar ashtu si duhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mund të jetë e gjatë periudha transitore, e kalimit të strukturave të sigurisë së Serbisë në ato si duhet? Mendoni se mund të bëhet ky tranzicion për dy vjet?

BLERIM SHALA
Jo, mendoj që në përgjithësi, me gjasë, periudha transitore mund të jetë një vit, por mund të jetë edhe dy vjet. Por ne i kemi disa caqe, të cilat janë pak a shumë të njohura, jo vetëm për perëndimin, por besoj edhe për Beogradin. Ta zëmë një cak shumë i qartë është që zgjedhjet lokale në katër komunat e veriut, me legjislacion të Kosovës dhe me një përkrahje të madhe të OSBE-së duhet të mbahet këtë
vit. Pra në vitin 2013.

Nuk e paramendojmë që zgjedhjet duhet të mbahen pas një viti apo dy viteve. Ky është një fakt tepër i rëndësishëm, sepse në atë mënyrë krijohet legjitimitet autentik i lidershipit serb në veri, të cilin nuk e kemi sot. Pastaj, edhe me muaj, më së shumti me muaj, mund të llogaritet periudha kohore e zhbërjes së strukturave serbe të sigurisë.

Por, po ashtu po shpresoj që me muaj duhet të llogaritet edhe aftësia jonë, potenciali jonë organizativ, për t’i zëvendësuar këto struktura me strukturat kosovare të sigurisë.

Në ndërkohë, siç e thash më herët, llogaritet në një përkrahje të fuqishme të EULEX-it dhe KFOR-it, sepse ekziston një vullnet parimor, i Prishtinës dhe Beogradit, që faktori ndërkombëtar ta luajë një rol të fuqishëm në tranzicionin e veriut të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të jetë faktori ndërkombëtar ai që do ta mbush atë boshllëk institucional të aspektit të sigurisë në veri?

BLERIM SHALA
Fillimisht po. Por megjithatë na e kemi një polici të Kosovës në veri. I dimë të gjitha të metat. E dimë që dualiteti i tyre, i policëve serb, fatkeqësisht lë shumë për të dëshiruar. Por ne mendojmë po ashtu që mund të inkuadrojmë edhe policë serbë të pjesëve tjera të Kosovës në këtë periudhën e parë të boshllëkut, ashtu siç thatë edhe ju, ashtu që të mbulohet vakuumi i sigurisë.

Por, bindja jonë është që nëse, vullneti politik ekzistues, përkthehet në një marrëveshje politike për normalizimin e marrëdhënieve, jemi të bindur që po ashtu do të krijohet një klimë krejtësisht e re, që deri tash, nuk është pa në veri të Kosovës.

Dhe që do të ketë mundësi pra, të punohet krejtësisht ndryshe, që të ketë
një tolerancë, dhe që cak i spastrimeve eventuale të sigurisë, të jetë ata që do të duhej të ishin edhe sot, bandat që janë të kriminalizuara, strukturat e ndryshme të cilat deri tash kanë punuar kryekëput për interesat e veta. Nuk e kanë ata interesin e serbëve të Kosovës, fare në agjendë. Ata kanë vetëm interesin e vet.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pëlqim në Serbi, që kështu të duket marrëveshja e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë - Serbi?

BLERIM SHALA
Po mendoj që, përpos vullnetit i cili është i domosdoshëm në këto procese, janë disa kritere, të cilat gjithmonë ju sjellin para jush bashkësia ndëkrombëtare. Ne mund të kemi vullnet të luftojmë korrupsionin, por mos të ishin edhe kriteret e fuqishme të perëndimit, nuk di sa cka do të bënim me korrupsionin. Ndoshta do të bëheshim shoqëri fatkeqësisht që organizohet nga korrupsionin.

Në rastin e Serbisë, të paramendojmë që ka një vullnet autentik politik që përfundimisht të zgjidhet çështja e Kosovës, sepse me të vërtet është bërë barrë e madhe. Por, ju e dini fare mirë se është kriter kategorik i Gjermanisë edhe i të gjitha shteteve të gjitha shteteve të fuqishme perëndimore që Serbia nuk mund ta
shoh as ëndërr BE-në, dhe vazhdimësinë në procesin e integrimeve evropiane, po që se nuk normalizon marrëdhëniet me Kosovën.

Ky është kusht pa të cilin nuk bën, dhe këtë kusht tashmë e dinë Serbia. Tash e dy vjet gati, që prej vizitës së kancelares gjermane Angela Merkel, në gusht të vitit 2011 në Serbi, ky kritert dihet.

Dhe dihet fare mirë që normalizimi nuk nënkupton vetëm që të mos ketë luftë midis
Kosovës dhe Serbisë. Normalizimi nënkupton të gjitha raportet e mirëfillta midis dy shteteve, përpos njërit që Serbia ta njeh momentalisht Kosovën.

Të gjitha tjerat duhet të jenë në fuqi, edhe përcaktimi i kufirit, vijës kufitare që do të bëhet përmes IBM-it, edhe tek e fundit edhe përfaqësimi diplomatik, i cili fillimisht do të jetë në nivel të zyrave. Krijimi i raporteve normale që Serbia të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Të ketë një raport, i cili po ashtu do t’i njeh edhe segmentet, pse jo edhe kulturor, edhe arsimor, edhe shëndetësor, edhe sportiv. Sepse do të duhej të jetë një situatë krejt e re midis Kosovës dhe Serbisë. Nuk e kemi pa në të kaluarën, mund të thotë shumëkush.

Por, ju e dini fare mirë se cka ka ndodh midis dy shekujve të plotë midis Francës dhe Gjermanisë, e në fund, sot ata janë partner shumë të fuqishëm në BE. Edhe neve na lejohet që të kemi edhe synime të tilla.
XS
SM
MD
LG