Ndërlidhjet

NYT: Luftërat e pafundme mbi buxhetin


U.S. -- United States dollar banknotes are seen at the Museum of American Finance in New York, 15Oct2010
U.S. -- United States dollar banknotes are seen at the Museum of American Finance in New York, 15Oct2010
Në pamundësi për të ndaluar shkurtimet e vendeve të punës, për shkak të sekuestrimit, presidenti Barack Obama tani thotë se dëshiron t’i lërë pas luftërat e pafund mbi buxhetin.

“New York Times” shkruan se edhe pse ai ende dëshiron një marrëveshje afatgjatë për deficitin, në javën e kaluar tha se është koha për t’iu kthyer çështjes së emigracionit, kontrollit të armëve, arsimimit, rritjes së pagës minimale dhe reformës së zgjedhjeve.

Por, gazeta thekson se republikanët nuk do të lejojnë një gjë të tillë. Shumica, në mënyrë të vazhdueshme, kanë qenë kundër këtyre iniciativave dhe duan që ta mbajnë fokusin e tyre në shkurtimin e programeve të brendshme, si dhe t’i luftojnë rritjet tatimore.

Në një kohë kur republikanët janë të ndarë mbi shumë çështje sociale, lufta mbi buxhetin është një nga disa gjëra që i bashkon ata.

Një shumëllojshmëri e propozimeve të reja buxhetore po del tani nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Të mërkurën, me një votim 267 me 151, Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar ligjin, i cili parandalon mbylljen e qeverisë më 27 mars.

Rezolutat e tilla “të vazhdueshme”, që e financojnë qeverinë, sipas nivelit të vitit të kaluar, tregojnë paaftësinë e Kongresit për ta kryer punën e vet themelore-vendimmarrjen për shpenzimet, thekson NYT.

Por, kjo rezolutë e re është më e keqe, sepse përfshin shkurtime brutale në bazë të sekuestrimit - përveç në disa fusha të rëndësishme që janë prioritete republikane.

Dhoma e Përfaqësuesve do t’i japë Pentagonit një buxhet krejt të ri, duke e lejuar atë që të bëjë shkurtime në zonat më pak prioritare, të parandalojë reduktimin e gatishmërisë ushtarake, për të cilën gjë kanë tërhequr vërejtjen gjeneralët.

Gjithashtu, pengon shkurtimet mbi patrullimet kufitare dhe shton para për Izraelin dhe për sigurinë e ambasadave.

Kësisoj, reforma e kujdesit shëndetësor bëhet cak për shkurtime të veçanta, madje edhe specifikon se asnjë para nuk do të shpenzohet në grupin e komunitetit të njohur si Acorn, edhe pse grupi nuk ka ekzistuar që nga viti 2010.

Por, nuk lejon fleksibilitet ose të holla shtesë për parandalimin e shkurtimeve në programet si përfitimet si i papunë, ndihmë në ushqim, ndihmë për strehim dhe grante të arsimit. Republikanët nuk kujdesen për këto programe dhe përmes sekuestrimit do të lejojnë shkurtimet për këto fusha.

Republikanët kanë bërë të qartë se lufta për shpenzimet nuk do të pushojë kurrë. Ata nuk kanë premtuar se nuk do të abuzojnë me rritjen e tavanit të borxhit në muajt e ardhshëm, thekson NYT.

Republikanët janë duke shpresuar që ta dobësojnë rezistencën e opozitës së tyre me këto beteja të përjetshme. Por, propozimet e tyre janë shumë të rrezikshme, për t’u lejuar që kjo të ndodhë, nënvizon NYT.

Përgatiti: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG