Ndërlidhjet

Partia e re gjermane i shpall luftë euros


Partia e re, Alternativa për Gjermaninë.
Partia e re, Alternativa për Gjermaninë.
Rebelimi politik ndaj euros është përhapur në Gjermani - kontribuuesja më e madhe në Bashkimin Evropian dhe një forcë shtytëse e valutës së përbashkët.

Alternativa për Gjermaninë është dëshmia për këtë.

Partia e re, e themeluar këtë javë nga një grup i profilit të lartë të ekonomistëve dhe akademikëve, bën thirrje për shpërbërjen e euros në favor të monedhave kombëtare apo unioneve më të vogla të valutave.

Një propozim për Gjermaninë është që të krijojë një valutë tjetër me disa prej ekonomive më të shëndosha të eurozonës, kryesisht me Austrinë, Finlandën dhe Holandën.

Lëvizja, e cila zyrtarisht do të bëhet parti politike në mes të prillit, beson se asnjë vend nuk duhet ta marrë barrën e borxheve të shtetit tjetër dhe dëshiron shpërbërjen e fondit të shpëtimit të Mekanizmit Evropian të Stabilitetit.

Zëdhënësi Frauke Petry tha se Alternativa për Gjermaninë dëshiron Evropën, por jo euron:

“Euro në formën aktuale është duke e dëmtuar Evropën. Për shkak të konkurrencës të ndryshme të vendeve përkatëse, për shembull Greqisë apo Portugalisë, vendet më të dobëta janë detyruar që të vendosin masa shumë të ashpra sociale, që kanë çuar në papunësinë e lartë të të rinjve. Çdo vend duhet të ketë të drejtë të largohet nga euroja”, u shpreh Petry.

Lodhja nga euroja nuk është e re, madje as në një vend si Gjermania.

Gjermanët, dikur entuziastë të patundur të euros, duken gjithnjë e më të frustruar me koston e lartë për të shpëtuar valutën e përbashkët.

Një sondazh i kohëve të fundit, i kryer nga stacionit televiziv ZDF, tregoi se gati gjysma e gjermanëve besojnë se vendi i tyre do të jetë në gjendje më të mirë pa euron.

Sipas një sondazhi të revistës “Fokus” rreth 25 për qind e votuesve gjermanë do të votonin për një parti që mbështet daljen e Gjermanisë nga eurozona.

Petry tha se Alternativa për Gjermaninë ka lindur nga dështimi i partive kryesore për të adresuar këtë ndjenjë:

“Gjermanët nuk kanë dalë në rrugë, sepse në tregun gjerman të punës gjërat janë ende relativisht të qeta. Gjermanët edhe ashtu nuk parapëlqejnë të protestojnë, ata janë shumë të disiplinuar dhe kanë shumë durim. Por, ne kemi marrë mijëra mesazhe çdo ditë nga njerëzit, që na thonë se sa mirë që më në fund dikush po flet për këto çështje, të cilat janë bërë një tabu politike. Ne kemi përshtypjen se kemi goditur një nerv të popullsisë”, tha Petry.

Lista e personaliteteve që iu bashkuan lëvizjes, mbase më së miri reflekton zhgënjimin në rritje të Gjermanisë me euron.

Shumë nga ta dikur ishin anëtarë ose përkrahës të CDU-së së Angela Merkelit, të cilët lanë partinë në shenjë proteste ndaj trajtimit që iu bë krizës së euros.

Themeluesi i Alternativës për Gjermaninë, Bernd Lucke, është një profesor i makroekonomisë dhe ish-këshilltar i Bankës Botërore. Ai u largua në vitin 2011 nga CDU, pas 33 vjetësh që ishte anëtar i saj.

Mbështetësi i tij më i famshëm, Hans-Olaf Henkel, ish-president i Federatës së Industrive Gjermane, është një ish-eurofil, dhe tani ndër kritikuesit më të zëshëm të euros në Gjermani.

Ai dhe pesë euro-skeptikë tjerë të shquar gjermanë sfiduan me sukses pakon e shpëtimit për Greqinë në Gjykatën Kushtetuese të Gjermanisë në vitin e kaluar.

Deri tani, retorika kundër euros, ka ardhur kryesisht nga partitë populiste të krahut të djathtë. Alternativa për Gjermaninë duket të jetë ndryshe.

Edhe pse duket se do të marrë vota nga të djathtët, ajo e paraqet veten si një iniciativë qytetare drejtuar nga pakënaqësia mbi politikat fiskale të vendit dhe mungesa e debatit publik mbi këtë
çështje.

Ndikimi i përkrahësve të saj, dhe fakti se shumë prej tyre janë ekonomistë të kalitur, i jep asaj kredibilitet.

Por, partia e re ka edhe kritikët e saj.

Ekonomisti kryesor Rudolf Hickel, i cili dikur ka kryesuar Institutin e Punës dhe Ekonomisë në Universitetin e Bremenit, thotë se thirrjet për t’u larguar nga euroja janë të padobishme e madje edhe “të rrezikshme”.

Pavarësisht deklarimit se ka për qëllim që proceset politike t’i bëjë më demokratike, ai thotë se agjenda e partisë ka nëntone të forta nacionaliste:

“Unë i njoh autorët. Ata pretendojnë se janë të përkushtuar thellë për Evropën, por partia e tyre në thelb ka një diskurs nacionalist dhe ka karakteristikat nacionaliste. Çfarë më zemëron mua është, kujtimi i ditëve të arta të markës gjermane, dhe do ta përdor këtu një term të diskutueshëm – imperializmit të markës gjermane. Ky është një ri-nacionalizim, një politikë anti-evropiane, që sheh prapa në vend se të shohë përpara”, u shpreh Hickel.

Ai theksoi se Alternativa për Gjermaninë nuk ka “asnjë shans” në zgjedhjet e përgjithshme që mbahen këtë shtator.

Partitë e reja sigurisht se e kanë vështirë që të lënë gjurmë në arenën politike gjermane.

Partia Pirate që mbron lirinë e internetit nuk pritet të hyjë në Bundestag, pavarësisht fitores së befasishme elektorale dy vjet më parë, kur i fitoi katër vende në parlamentet rajonale.

Votuesit e Lirë, një tjetër lëvizje e euro-skeptikëve, që ka ndaluar së bëri thirrje për shëprbërjen e euros, mundi të fitojë vende në parlamentin rajonal të Bavarisë në vitin 2008 me premtimet për të balancuar buxhetet dhe për të ofruar arsimim të mirë. Por, ajo ka ndikim të vogël jashtë Bavarisë.

Alternativa për në Gjermani, megjithatë shpreson që të mbledhë nënshkrime të mjaftueshme për të kandiduar për zgjedhjet kombëtare këtë vjeshtë.

CDU, ndërsa është ende popullore, ka pësuar një seri humbjesh poshtëruese në shtetet kyçe derisa rezistenca gjermane po rritet kundër kërkesave të saj për disiplinë fiskale në eurozonë.

Sa për Demokratët e Lirë, koalicioni i ri i Merkelit, ata kanë rënë në më pak se katër për qind, nga 15 për qind sa kishin marrë në zgjedhjet e kaluara për Bundestagun. (a.i.)
XS
SM
MD
LG